Erë e fortë e reshje, ndërpritet energjia në disa zona të Shkodrës, qarkullimi i mjeteve ...

Në të gjithë territorin e qarkut Shkodër gjatë natës së kaluar ka pasur erë të fortë dhe reshje shiu.

Prefektja e qarkut Shkodër, Majlinda Angoni bëri të ditur për ATSH-në se “si pasojë e motit me erë të fortë dhe reshje të dendura shiu në bashkinë Vau i Dejës ka pasur mungesë të energjisë elektrike në disa fshatra të njësive administrative Vau i Dejës dhe Bushat”.

“Në fshatrat e njësive administrative Hajmel dhe Vig-Mnele, mungon plotësisht energjia elektrike. Në bashkinë Pukë është dëmtuar çatia e spitalit si pasojë e erës së fortë, e cila ka shkëputur një pjesë të çatisë me përbërje llamarine. Në territorin e bashkisë Fushë-Arrëz, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, janë dëmtuar pothuajse të gjitha rrugët rurale, janë shënuar rrëshqitje dherash dhe rënie gurësh në rrugë”, tha Angoni.

Prefektja Angoni informoi se “që nga dje pasdite, ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në njësitë administrative Qafë-Mali, Iballe dhe Blerim. Po ashtu, janë dëmtuar disa pallate në qytetin e Fushë-Arrëzit, ndërsa çatia e një katramaje është shkëputur nga era e fortë. Po rrezikohet banesa e shtetases Leonora Morina, pasi një masiv shkëmbor është shkëputur dhe i ka rrezikuar shtëpinë”.

Sipas saj, nga informacioni i marrë nga Drejtoria Rajonale e Vetëqeverisjes Vendore Shkodër (DRV), qarkullimi vijon pa probleme dhe firmat mirëmbajtëse janë në gatishmëri me mjete dhe punonjës.

“Nga Drejtoria e Ujërave të Kaskadës së Drinit dhe Liqenit të Shkodrës (DrUK) informohemi se, gjatë 24 orëve të fundit, reshjet e shiut prej rreth 30 mm nuk kanë shkaktuar probleme në infrastrukturën e kullimit, në argjinaturat dhe në digën e rezervuarit të Shtodrit”, tha prefektja Angoni.