Zielinski, Asllani apo Barella? Inzaghi me disa opsione për zëvendësimin e turkut Calhanoglu

Dëmtimi i radhës i mesfushorit turk Calhanoglu ka rimgritur pyetjen se kush do ta zëvendësojë në ndeshjen e radhës në kampionat.

Zikaltrit shpresojnë të qëndrojnë pa mesfushorin turk për vetëm disa ditë, por mungesa e tij ndaj Veronës duket gjithnjë e më e mundshme.

Dhe zëvendësuesi i tij natyral duhet të jetë Kristjan Asllani.

‘Regjisori’ shqiptar është thirrur të japë përgjigje të rëndësishme.

Asllani ka qenë gjithashtu i pafat javët e fundit, pasi ka marrë një dëmtim në të njëjtën periudhë kur ka munguar Calhanoglu.

Tani mund të jetë momenti i tij, por gjithçka do të varet nga besimi i Inzaghit, i cili ndërkohë ka gati planin B të dyfishtë për ndeshjen e “Bentegodit”.

“La Gazzetta dello Sport” shkruan se trajneri mund të vazhdojë në rrugën e ndjekur tashmë javët e fundit, me dy opsione të vlefshme për të zëvendësuar Calhanoglu: Zielinski ose Barella.