17 ditë nga "Mas*kra e Dobraçit", as edhe 1 i arrestuar/ "Flutura Basha ka plumb në trup" - Ish-drejtuesi i Policisë: Do të zhvarroset! Çfarë ka bërë policia?

Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, ka folur lidhur me atentatin mafioz me katër viktima në Dobraç të Shkodrës.

Prençi bëri deklaratën “bombë”, ku tha se një nga viktimat e pafajshme nga ky atentat Flutura Basha ka një plumb në trup, ndërsa shtoi se SPAK do e zhvarrosë.

I ftuar në 'Shqipëria Live', ai tha se policia dhe prokuroria nga frika nuk i kanë bërë autopsi viktimës.

“Sot është dita e 17 që ka ndodhur ngjarja. Ende nuk ka zbritur në Shkodër Ministri i Brendshëm dhe drejtori i policisë për të bërë një analizë të kësaj ngjarjeje. Kjo tregon se sa e impenjuar është qeveria për ta luftuar kriminalitetin. Çfarë ka bërë policia?

Asnjë veprim deri më sot. Ka dyshime që policia e di kush ka tentuar të bëjë atentatin më datë 11 tetor. Tani po kujtohen për të shpallur në kërkim të dyshuarit që kanë qenë në motor.

Më parë u ka interesuar që disa analiste e servirin ngjarjen si vrasje me pagesë për ta larguar nga Shkodra. Nuk ndodh që Shkodra të marrë argatë, por e kryejnë vetë. Këtë e ka lejuar policia.

Nuk do politika të zbardhet ngjarja. Oficerët, shefat e policisë kundër krimit i dinë ngjarjet kriminale, i dinë me autorësi, por nuk i zbardhin, ndihen të tradhtuar se politika do i leje mes rrugëve.

Është përgatitur një strukturë dhe të gjithë kanë për të përfunduar si inspektorë. Për ngjarjen prioritet është të zbardhen autorët.

Flutura Basha ka plumb në trup dhe SPAK do e zhvarrosë. Policia dhe prokuroria nga frika nuk i kanë bërë autopsi.”, tha Prençi.

Atentati ndodhi pasditen e 30 tetorit në Dobraç të Shkodrës, ku në rrugën kryesore që lidh qytetin me Malësinë e Madhe, një automjet i ka prerë rrugën një “Mercedes”-i duke qëlluar me breshëri kallashnikovi mbi të.

Viktimat ishin Hamza Lici që vdiq në vendin e ngjarjes, Arlind Bushati i cili ndërroi jetë në spital dhe Flutura Basha e cila ishte një kalimtare e rastit në atë rrugë, teksa ndodhej me bashkëshortin e saj në një motor.

Ndërkohë, ky i fundit, identifikuar si Bashkim Basha ndërroi jetë në spital, 5 ditë pa atentatit.

Në makinën e viktimava shofer ka qenë Hamza Lici dhe pasagjer Arlind Bushati. Lici ka humbur kontrollin e makinës duke marrë para dhe motorin në të cilin ndodhej çifti Basha.

Ende nuk ka asnjë person të arrestuar lidhur me ngjarjen e rëndë ndonëse ka pasur shqoërime të shumta në policia dhe marrje në pyetje.