Boshnjaku: 2.3 milionë euro të padeklaruara u kapën në kufi në 2024-ën
Drejtori i departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Saimir Boshnjaku bëri të ditur sot se gjatë vitit 2024 janë kapur 2.3 milionë euro të padeklaruara në kufi.
Gjatë tryezës publike me temë “Parandalimi i pastrimit të parave dhe korrupsionit transnacional”, të organizuar nga Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion, Boshnjaku u shpreh se ka pasur rritje të rasteve të kapjes së mosdeklarimit të parave në kufi.
“Ne si Polici Kufitare kemi pasur disa raste të kapjes së mosdeklarimit të parave në kufi. Kemi pasur rritje nga viti në vit. Në rast se në 2022-shin kemi pasur rreth 32 raste, me rreth 3.6 milionë euro, kryesisht nga individë apo kompani transporti që transportonin para të padeklaruara, në vitin 2024 kishim 79 raste, me rreth 2.8 milionë euro”, tha Boshnjaku.
Ndërsa në vitin 2024 sipas tij, janë rreth 62 raste, me 2.3 milionë euro të sekuestruara në total.
“Një rast është goditur mbrëmë në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit për transportin e parave ‘cash’, rreth 600 mijë euro”, tha Boshnjaku.
Drejtori i departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit vlerësoi po ashtu edhe bashkëpunimin shumë të mirë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe partnerët ndërkombëtarë, si me palën britanike e atë italiane.

