Pastrimi i parave, Dërralla: Në fokus reduktimi i transaksioneve me para në dorë

Drejtori i Mbikëqyrjes Financiare në Bankën e Shqipërisë, Denis Dërralla deklaroi sot se, Shqipëria është e harmonizuar me të gjitha direktivat dhe rregullat evropiane sa i takon kuadrit ligjor dhe kjo sipas tij, “u pa edhe në progresraportin e KE-së,  ku kanë mbetur detaje, për përafrimin e plotë të kuadrit rregullativ”.

I pranishëm në Komisionin parlamentar për “Parandalimin e pastrimit të parave dhe korrupsionit transnacional”, Dërralla tha se, “sa i përket eficiencës së këtyre ligjeve dhe rregullave ka shumë për të bërë ende, ndonëse është bërë shumë dhe është rritur eficienca e institucioneve”.

Ai solli në vëmendje faktin që para dy vjetësh, Shqipëria doli nga lista gri për pastrimin e parave, sepse u verifikua që Shqipëria ka bërë përpara në drejtim të eficiencës dhe punës së strukturave në luftën kundër pastrimit të parasë. Por problemi qëndron në faktin e transaksioneve me para në dorë (cash).

Dërralla informoi se, BSH-ja prej vitit 2020, me strategjinë kombëtare të pagesave të vogla dhe për llogaritë bazike është mundur të ulë paranë fizike edhe pse është ajo që mundëson qarkullimin e parasë së pisët në Shqipëri.

“Në fokus të punës së institucioneve të linjës është forma për parandalimin e transaksioneve në cash. Nëse do të kishim deklarimin personal të të ardhurave do të kishim më shumë informacion për burimin e të ardhurave për të gjithë personat, kjo nuk është e thjeshtë, por është një masë krahas kërkimit të llogarisë për burimin e fondeve, që do të ndikojnë në reduktimin e parasë së pisët”, u shpreh ai.

Dërralla vuri në dukje se këmbimi valutor nuk ka të bëjë me pastrimin e parasë.

“Kthimi i parave qoftë edhe në kripto nuk do të thotë që paraja u pastrua. E rëndësishme është reduktimi i transaksioneve cash, si masë për të luftuar paranë e pisët”, tha ai.