VIDEO/ Bora në veri të vendit, Balluku: Në terren për të garantuar lëvizjen në të gjitha akset

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës njofton se është në gatishmëri të plotë dhe është në terren për të garantuar lëvizjen në të gjitha akset ku bora ka rënë.

Zëvendëskryeministrja, njëherazi Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku në një postim në rrjetet sociale, ndau pamje nga puna që po zhvillojnë borëpastrueset në disa akse të vendit ku ka rënë dëborë, me qëllim që lëvizja në ato akse të jetë e pa cenuar.

“Në krye të detyrës për të garantuar lëvizjen në të gjitha akset”, shkruan Balluku në postimin e saj.

Në video shihen borëpastrueset të cilat janë duke punuar për të mbajtur të pastër akset rrugore që lidhin Pukë, Fushë Arrëz; Bogë e Theth, Shishtavec dhe Kukës, duke garantuar kalueshmërinë për vendasit, por edhe turistë që zgjedhin turizmin malor në këtë periudhë të vitit.

Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se “gjatë natës dhe në orët e para të ditës ka pasur reshje shiu shoqëruar me ulje të temperaturës në të gjithë vendin”.

Sipas ARRSH “në Bogë-Theth, Pukë-Fushë Arrëz dhe në Ura e Zapodit-Shishtavec ka pasur reshje dëbore. Grupet e punës me mjetet e tyre janë në terren.”