“Kujdes me ndërhyrjet në Kodin Penal”/ Karameta: Aksesi pakufi në regjistrat e shtetit, rrezik për abuzime! Paratë pastrohen me para dhe ne nuk i kufizojmë ato

Zëvendësministri i Drejtësisë Klajd Karameta kërkoi sot që të tregohet kujdes me ndërhyrjet për rregullime në Kodin Penal, ndërsa vlerësoi rëndësinë e harmonizimit të legjislacionit penal me direktivat e BE-së.

Gjatë tryezës publike me temë “Parandalimi i pastrimit të parave dhe korrupsionit transnacional”, të organizuar nga Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion, Karameta tërhoqi vëmendjen, pasi në shumë tryeza diskutimesh ka propozime për rregullime shumë të detajuara të Kodit Penal.

“Nevojën për ndryshim në legjislacionin penal e gjej me shumë vend. Harmonizimi me direktivat e BE-së duhet të jetë nga ato pikat e rëndesës ku duhet të përqendrohemi për të parë legjislacionin penal, sidomos te Kodi Penal. Por, në shumë tryeza ka propozime për rregullime shumë të detajuara të Kodit Penal. Nuk është detyra e parlamentit që çdo lloj sjellje ta fusim në Kod, se do krijojmë volume pafund. Ndërkohë që është detyrë e gjyqësorit t’i elaborojë nenet që janë në Kodin Penal dhe të dali në vendime. Janë detyrat e Kolegjeve të Bashkuara dhe Kolegjeve Penale që të japin mendime për problematika të ndryshme që janë të rregulluara në Kod”, sqaroi ai.

Po ashtu Karameta kërkoi që të tregohet kujdes në dhënien e aksesit në regjistrat e shtetit.

“Shumë organe të shtetit kanë regjistrat e tyre që i menaxhojnë dhe i mirëmbajnë. Jemi të bombarduar nga kërkesa për akses në regjistra. Është e drejtë, por duhet edhe kujdes. Duhet të kemi parasysh që duhet të kufizojmë abuzimin. Ka arsye pse aksesi në regjistra është i kufizuar për disa organe. Duhet bërë më shumë kujdes, jo të hapet aksesi pafund dhe paanë, se rrezikojmë për abuzime”, tha zv.ministri i Drejtësisë.

Duke u ndalur te parandalimi i pastrimit të parave, Karameta theksoi se së pari, duhet kuptuar se pastrimi i parave bëhet me para, jo me kriptomonedha.

“Paratë pastrohen me para dhe ne nuk i kufizojmë paratë. Kriptomonedhat përdoren për të fshehur të ardhura. Por SHBA, si vend avangardë, ka ligjëruar përdorimin e kriptomonedhave. Ne duhet ta përqafojmë teknologjinë, se nuk i shpëtojmë dot. Presidenti Trump ka bërë deklarata dhe ka thënë se do t’i mbështesin dhe fusin në legjislacion që të ketë zhvillim. Ndaj duhet të kemi kujdesin e duhur dhe t’i shikojmë nga ana e zhvillimit që ato mund të sjellin”, tha Karameta.