Buxheti i KLGJ-së, 13% më i lartë, Rusi: Imediate ndërtimi i godinës së re të “Apelit”, duhet financim për sigurinë kibernetike

Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Ilir Rusi, në seancën dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, për buxhetin e vitit 2025 ka parashtruar kërkesat dhe projektet e KLGJ-së për vitin e ardhshëm.

Duke folur me shifra, Rusi tha se buxheti i KLGJ-së për vitin 2025 është 13% më i lartë se viti i kaluar, por 35% e kërkesave buxhetore për këtë institucion nuk janë plotësuar.

Buxheti i vitit të ardhshëm, sipas Rusit, do të shkojë për paga, shërbime si dhe projekte.

“Buxhetimi ka të bëjë me pagat, është domosdoshmëri, por ajo që vlen të theksohet është fakti që ne na është miratuar një shtesë prej 133 punonjës”- tha Rusi.

Rusi tha se është imediate edhe ndërtimi i një godine të re për Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm.

“Nëse do i referohemi shërbimeve, kemi disa kërkesa shtesë për faktin se do duhet t’i përgjigjemi momentit dhe kohës. Gjykata Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, është e rëndësishme, por edhe në raport me juridiksionit që ka pasi shqyrton të gjitha çështjet  juridiksionit shqiptar.

“Është imediate që kjo gjykatë të ketë një godinë. Pjesa e projektimit dhe zbatimit është finalizuar për godinë të re, por duhet trualli, me qëllim që në të evidentojmë sheshe të caktuara kryesisht në Tiranë. Financimi për qiranë është imediate”- u shpreh Rusi.

Rusi po ashtu kërkoi financim për digjitalizimin. “Nëpërmjet digjitalizimit shmang edhe kontaktin me gjyqtarin dhe rrit aksesin ndaj shërbimeve për qytetarin”- tha Rusi.

Siguria kibernetike po ashtu ishte një nga kërkesat e parashtruara nga kreu i KLGJ-së.

“Fjala e ditës është edhe siguria kibernetike, edhe me zhvillimet e kohës që kalon sot bota. Do të donin financim edhe për sigurinë kibernetike”- tha Rusi.

Duke u ndalur tek investimet kapitale, Rusi tha se së fundmi nga ana e Ministrisë së Financave është financuar ngritja e sistemit të menaxhimit të sistemit të çështjeve ligjore.

“Sistemi i menaxhimit të çështjeve gjyqësore në një të ardhme do të në çojë në transparencë, në rritjen e cilësisë së shërbimeve, shkojmë shumë afër qytetarit në kohë reale. Është një financim i përbashkët nga qeveria shqiptare dhe suedeze. Pjesën më të madhe e ka buxheti i shtetit”- tha Rusi.

Rusi po ashtu tha se kanë bërë kërkesa për buxhetim me qëllim që të kenë një sistem që bën unifikimin dhe marrjen e të dhënave në një kohë reale, për t’i ardhur në ndihmë magjistratëve.

“Kemi kërkuar ta aplikojmë një sistem të tillë që është domosdoshmëri gjë që të shoqërohet edhe me mjete teknologjike. Kemi bërë kërkesa për pajisje të teknologjisë së kohës”- tha Rusi.

Sa i takon infrastrukturës, kreu i KLGJ tha se është parashikuar edhe bërja e projekteve për godina të reja, për gjykatat e Durrësit, Sarandës, Fierit dhe Tiranës.

Po ashtu Rusi tha se është parashikuar edhe rikonstruksioni për gjykatat e Korçës, Dibrës, Tiranës dhe Durrësit.

Për disa qytete, kreu i KLGJ-së tha se mund të shkohet drejt një shkëmbimi të godinave në natyre, ndërsa u ndal tek kthimi i godinës së maternitetit të qytetit në gjykatë.

“Lezha gjykata aktuale, duke pasur parasysh vendndodhjen e saj kemi menduar që objekti i maternitetit mund të kalojë në funksion të sistemi gjyqësor në mënyrë që të rritet shërbimi

Kemi bashkëbiseduar me Kukësin dhe në Kukës ish-materniteti nuk përdoret. Edhe në Shkodër kemi komunikime që të bëjmë rakordime konkrete”- tha Rusi.

Në rolin e relatorit, deputeti Saimir Hasalla, tha se buxheti i KLGJ-së për vitin 2025 është rreth 5.66 miliardë lekë. Shpenzimet totale, tha Hasalla janë rritur 16.2% më shumë.