Lici apo Bushati? Tri ditë nga vrasja e tre personave, policia vijon hamendësimet se kush ishte shënjestra. Asnjë gjurmë në mjetin e djegur
Kur kanë kaluar tri ditë nga masakra e Dobraçit ku viktimë mbetën 3 persona, në Policinë e Shtetit kanë mbërritur informacione të tjera sa i takon shënjestrës së mundshme.
Informacionet policore të administruara së fundmi tregojnë se shënjestër i sulmit me armë zjarri mund të ketë qenë Arlind Bushati.
Një burim i tha “Ora News” se grupet rivale të familjes Lici kishin informacione që Arlindi Bushati ka ofruar ndihmën e tij kundrejt Ibrahim Licit gjatë kohës që ai ka qenë në arrati.
Ky informacion po përpunohet nga hetuesit për të arritur në administrimin e provave mbi këto dyshime.
Ndërkohë ende policia nuk ka informacione mbi mjetin “Range Rover Sport”, për të cilët u përdorur nga autorët ditën e ngjarjes.
Nga djegia e mjetit, targat e saj janë të pakuptueshme e po ashtu edhe numri i shasisë së automjetit në fjalë.
Në të tilla kushte, policia po merr denoncimet që janë bërë më 12 drejtori vendore mbi kallëzimet për vjedhje të këtij lloj automjetit.

