Dita Kombëtare e Aktivizmit, ambasada e SHBA-së: Angazhim i grupeve të ndryshme sociale

Ambasada e SHBA-së në Tiranë mori pjesë për të shtatin vit rresht në Ditën Kombëtare të Aktivizmit, duke theksuar rëndësinë e angazhimit qytetar, aktivizmit dhe vullnetarizmit.

Edicioni i këtij viti u përqendrua te diversiteti nën sloganin “Voices of Inclusion” dhe përfshinte një panair aktivizmi, informacion rreth nismave lokale përreth Shqipërisë dhe një fushatë në internet që synonte çuarjen përpara të një shoqërie më të barabartë duke vendosur theksin tek angazhimi aktiv i grupeve të ndryshme sociale, përfshirë këtu gratë dhe vajzat, të rinjtë, të moshuarit, personat me aftësi ndryshe, komunitetin LGBTQI+ dhe pakicat nga e gjithë Shqipëria.

Aktivistët ndanë historitë dhe përvojat e tyre, duke frymëzuar një vizion për një shoqëri më të drejtë, ku çdo zë vlerësohet. Gjashtë aktivistë u vlerësuan me çmime për vitet e shpenzuara duke dhënë kontribut të çmuar për shoqërinë civile shqiptare.

Gjatë aktivitetit, Shefja e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun McKenzie Louw nxiti pjesëmarrësit të ndërmarrin hapa për të adresuar sfidat e vështira dhe për t’u siguruar që zëri i tyre të dëgjohet, duke vënë në dukje se ndryshimi i vërtetë nuk ndodh në një ditë të vetme dhe se mbrojtja e të drejtave kërkon kohë, këmbëngulje dhe angazhim afatgjatë.

Dita Kombëtare e Aktivizmit është pjesë e Programit të Shoqërisë Civile të Ambasadës së SHBA-së “SPARKs: Supporting Civic Activism and Advocacy Initiatives in Albania,” zbatuar nga Co-Plan.