PS rrëzon Begajn, Komisioni i Ligjeve kundër dekretit të Presidentit për inspektimet
Në drejtimin e kryetares Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtoi dy projektligje dhe Dekretin e Presidentit nr. 357 “Për kthimin e ligjit “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë””.
Të ftuar për shqyrtimin e Dekretit në mbledhjen e komisionit ishin: ministja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, Shkëlqim Hajdari – kryeinspektor i Inspektoratit Qendror, Ilirjan Rusmali – Këshilltar i Presidentit, Valbona Lusha – Sekretare e Përgjithshme e Presidencës, etj.
Fillimisht Ibrahimaj parashtroi se, Presidenti nuk ka pasur kundërshtime me thelbin e projektligjit dhe theksoi rëndësinë e projektligjit, me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit.
“Ky ligj përmirëson ndjeshëm proceset e inspektimit që janë një nga problematikat kryesore që biznesi shfaq në kryerjen e aktivitetit të tij. Ligji synon uljen e burokracive, reduktimin e kontaktit ndërmjet institucioneve publike dhe biznesit, numrit të inspektimeve, etj.”, u shpreh Ibrahimaj.
Më pas Ilir Rusmali, këshilltar ligjor i Presidentit, paraqiti argumentet që çuan në mosdekretimin e ligjit të miratuar nga Kuvendi, duke nënvizuar ndër të tjera se bashkimi mekanik i të paktën dy ligjeve të mëdha, sjell pasoja në zbatim të ligjit.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni rrëzoi Dekretin e Presidentit dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare.
Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 9693, datë 19.3.2007 “Për fondin kullosor”, i ndryshuar”, nismë e depozituar nga deputetja Edona Bilali.
Të ftuar për të dhënë mendim për nismën ishte Sofjan Jaupaj, zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit, si dhe stafi teknik i MTM-së.
Bilali në cilësinë e nismëtares paraqiti risitë dhe ndryshimet e propozuara, që lidhen kryesisht me dhënien në përdorim të sipërfaqeve të caktuara dhe tokave të fondit kullosor kombëtar, për të zhvilluar në to veprimtari shoqërore, shëndetësore, sportive e turistike dhe për prodhimin e energjisë së rinovueshme, por duke iu përmbajtur disa kritereve si: mbrojtja e mjedisit, rehabilitimi i sipërfaqes së marrë në përdorim, etj.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


