Grupi i PD takohet me delegacionin e PE: Na mohohen hetimet parlamentare, mbështesim integrimin
Në Tiranë mbahet sot dhe nesër takimi i 18-të i Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.
Delegacioni i eurodeputetëve të Parlamentit Europian është takuar edhe me tre deputetë të Partisë Demokratike, konkretisht kryetari i grupit parlamentar Gazment Bardhi, Jorida Tabaku si dhe me Oerd Bykykbashin.
Gjatë takimit, deputetët kanë shprehur shqetësimet e opozitës për situatën politike në vend, ku janë ndalur tek komisionet hetimore, reformën zgjedhore si dhe krijimin e një qeverie teknike për administrimin e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm.
Në fjalën e tij Bardhi ceku edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.
“Sot në takimin e KPSA e bëjmë në një hotel sepse mazhoranca na ka ndëshkuar ne si opozitë.
Ne ndjekim rrugën ligjore për çështje që mendojmë se janë në shkelje të kushtetutës, shkojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe fitojmë çështjen për mandatin e një personi shumë pranë Edi Ramës, Olta Xhaçka, që është ish-ministre e jashtme, por që mazhoranca refuzon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”- tha Bardhi.
Bardhi u ka kërkuar eurodeputetëve që t’u qëndrojnë afër në këto momente sepse i duhet vendit këndvështrimi juaj.
“Ne në fushatë nuk kemi përballë deputetët e mazhorancës që ju kishit sot takim.
Por siç tregojnë përgjimet e prokurorisë Belge, ne kemi bandën e Abdylajve dhe Hajrajve dhe që siç tregojnë përgjimet i kanë diktuar KM se cilët janë deputetët.
Madje përgjimet tregojnë se kush do caktonte numrin 5 në listën e PS Durrës dhe siç faktet tregojnë ato caktuan kandidatët”- tha Bardhi.
Nga ana tjetër kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, theksoi se Shqipëria ka nisur procesin e negociimit dhe hapjen e klasterit të parë dhe opozita është aktore në këtë proces duke qenë se e mbështetëm atë me fakte dhe votën tonë pro.
Tabaku nënvizoi me tëj se opozita po punon për të vërtetat që nuk shkruhen përherë në raporte siç janë, ndaj duhet t’i themi gjërat siç janë. Tabaku u ndal te komisionet hetimore, ku tha se nuk u jepen nga mazhoranca sepse kjo e fundit ka frikë.
“Komisionet hetimore nuk na jepen dhe kjo ka shkak sepse mazhoranca ka frikë.
Pak vite më parë drejtova një Komision Hetimor për inceneratorët që zbuloi një skemë që sot ka shumë përpara drejtësisë përfshirë një ish zëvendëskryeministër që është në kërkim ndërkombëtar.
Nga ajo ditë janë refuzuar 9 komisione hetimore që janë mekanizëm në dorë të opozitës”- u shpreh Tabaku.
Tabaku ndal edhe tek Reforma Zgjedhore, ku tha se ende nuk kemi një reformë të plotë zgjedhore bazuar mbi rekomandimet e OSBE-ODIHR, një reformë që nuk ka ndodhur në Shqipëri dhe vullneti opozitës qëndron, por jo i shumicës.
“Ne kemi bërë disa ndryshime zgjedhore për të adresuar disa ndryshime të kërkuara për votën e diasporës, mirëpo fatkeqësisht qeveria po përdor çdo mjet shtetëror për interes partiak.
Ashtu siç thotë raporti OSBE-ODIHR, KM Rama po përdor stafin diplomatik për votën e emigrantëve dhe të diasporës, duke dhënë shembullin ekselent se si është partia-shtet”- tha Tabaku.
Sipas Tabaku, qeveria teknike është jetike në kushtet kur zgjedhjet, mungesa e check and balance dhe demokracisë.
Deputeti Oerd Bylykbashi u shpreh se “duam që të kthehemi në parametrat ku zgjedhjet kishin konsensus dhe ku pranoheshin”.
Sipas Bylykbashit “nuk kemi garë të barabartë”, e se “nuk ka mundësi për rotacion politik”.
“Përdoren pushtete rregulluese ku qeveria vendos rregulla në favor të kandidatit të saj, duke i bërë presion votuesve. Përdoren të dhënat e qytetarëve me një sistem patronazhi ku qytetarëve u ushtrohet presion dhe kjo prodhon një sjellje të qeverisë që injoron vendimet e GJK, që përjashton më shumë se ½ e deputetëve nga kuvendi dhe që shkatërron rregullat apo që prish MSA duke vendosur dhe ligje personale”- tha Bylykbashi.
Deputeti përmendi gjithashtu edhe çështjen e drejtësisë.
“Ne donim një drejtësi të pavarur, funksionale dhe të pakorruptuar dhe jo një reformë që zvarritet prej 10 vitesh që është më keq se sa kur s’qe reformuar”- u shpreh Bylykbashi.
