Rama paralajmëron sërish bizneset që nuk deklarojnë pagat: Do u qepemi mbrapa siç iu qepëm atyre që vidhin energjinë
Kryeministri Rama, nga takimi me pensionistët në Fier, ka paralajmëruar sërish bizneset që nuk deklarojnë pagat.
Rama e cilësoi grabitje, ndërsa theksoi se do u qepen nga mbrapa njësoj siç dikur iu qepën pensionistëve.
“Kjo është grabitje dhe do t’u qepemi mbrapa vjedhësve të pensionistëve siç iu qepëm atyre që vidhnin energjinë. Kjo nuk mund të funksionojë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë foli dhe për indeksimin e pensioneve duke thënë se ndodh çdo vit dhe theksoi se tashmë është koha për rritje, pasi janë rritur mundësitë.
“Ai 4.1% nuk është rritje pensioni, është indeksim. Është me ligj. Ligji e ka që çdo vit duhet ndërhyrë përse të kompensuar rritjen e çmimeve.
Ka një llogari që bëhet dhe llogaria nxjerr përqindjen dhe qeveria ka detyrimin ta paguajnë. Nuk është rritje, se filluan të tërë; ‘ja kështu, ja ashtu’.
Ajo që duam të bëjmë është komplet tjetër gjë dhe ky është momenti sepse janë rritur mundësitë, është rritur ekonomia”, tha kryeministri.
