Gonxhja: Fokusi ynë, ulja e deficitit në Fondin e Pensioneve dhe rritja e tyre
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit foli në takimin e sotëm me pensionistët në Fier, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Rama, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe zëvendësministrja e MEKI-t, Olta Manjani.
Gonxhja tha se sfida me pensionet nuk është vetëm ajo me të cilën qeveria përballet sot, por kalon më herët, në vitin 2013.
“Nuk është vetëm te sfida që përballemi sot, por t’i rikthehemi qeverisjes së vitit 2013, për të kuptuar se çfarë ndikimi kanë politikat e gabuara në brezat dhe dekadat që vijnë.
Një nga aspektet më antikontributive e vitit 2013 kanë qenë ato që unë i quaj “dy kurthe”.
Pra, një ishte pensioni maksimal të mos kalonte dyfishin e pensionit minimal, çka dekurajoi kontributet, dekurajoi ata që donin të deklaronin paga të larta dhe reale.
Dhe “kurthi i dytë” ishte që pensioni të mos ishte mbi 75% e pagës neto të tre viteve, pra të pagës më të ulët të 10 viteve të fundit të punës.
Një tavan që nuk lejonte të kishe një pension më shumë se 24 mijë lekë që ka dëmtuar skemën e pensioneve, ndërsa tavani tjetër llogaritja bëhej me formulën që shpjegova”, tha Gonxhja.
Ministri tha se kjo lloj politike ka dëmtuar në masë skemën e pensioneve, pasojat e të cilës e vuajnë pensionistët sot.
“Kjo politikë ka bërë një dëm shumë të madh dhe që është nxitja e informalitetit, mosdeklarimi i pagës reale dhe krijimi i një grope të jashtëzakonshme në skemën e pensioneve në vitet e mëpasshme.
Përgjegjshmëria jonë është shumë e lartë, pas ne duhet të kemi shumë kujdes, pasi ndikojmë jo në qeverisje, por breza të tërë pas nesh.
Pas reformës së 2013-ës, që rriti me 43% kontributet në skemën e pensioneve në 10 vitet që kur skema hyri në fuqi, lidhja e pensioneve të reja bëri që të kishte një normë më të lartë dhe të drejtë. Fokusi ynë sot janë pagat.
I gjithë themeli i asaj që ndikon te pensionet është kontributi dhe paga reale në tregun e punës sot, e deklaruar 100%, marrëveshje punëmarrës dhe punëdhënës e ligjshme, pa asnjë informalitet në të.
Ky është fokusi ynë, kjo është përpjekja jonë më e madhe në fondin e pensioneve, që ndikon në uljen e deficitit në Fondin e Pensioneve dhe si pasojë na lejon që të rrisim dhe të ndërhyjmë te pensionet”.
