Tre të mitur kapen duke vjedhur monopatina në Tiranë, procedohen bashkë me prindërit

Tre të mitur kanë vjedhur disa monopatina në zona të ndryshme të Tiranës. Si pasojë, ata janë proceduan në gjendje të lirë bashkë me prindërit e tyre.

Ndërkohë, policia u ka sekuestruar tetë monopatinat e vjedhura.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Vijon puna nga Komisariati i Policisë Nr. 3, për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes.

Dokumentohen me prova ligjore disa vjedhje monopatinash të kryera nga 3 të mitur, në zona të ndryshme të Tiranës.

Sekuestrohen 8 monopatina, të dyshuara të vjedhura.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 proceduan në gjendje të lirë 3 të mitur për veprën penale “Vjedhja” kryer më shumë së njëherë, si dhe prindërit e tyre, shtetasit 46 vjeçe, 32 vjeçe, dhe 44 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, parashikuar nga neni 287/b i Kodit Penal.

3 të miturit dyshohet se kanë vjedhur disa monopatina në zona të ndryshme të Tiranës.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrolleve të banesave të tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 8 monopatina të dyshuara të vjedhura.

Materialet i kaluan Prokurorisë.