Debate mes Metës dhe prokurorëve në seancën me dyer të mbyllura? Hoxha: Nuk kam informacion, i kam bërë një kërkesë SPAK-ut...

Vendimi për lënien në burg të ish-presidentit, Ilir Meta, u mor nga gjyqtari Erjon Çela ndërsa seanca u shoqërua me debate por edhe me përplasje të ashpëra, ku Meta sulmoi prokurorët e çështjes veçanërisht kreun e SPAK-ut, Altin Dumani. 

Meta u mbrojt vetë dhe nuk e la avokatin të fliste, ndërsa akuza përfaqësohej nga tre prokuror, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, të cilët pas pesë vitesh hetime kanë këto akuza për të: Korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Gazetar BIRN, Edmond Hoxha, i ftuar në emisionin "Ora e Betit", u shpreh se nuk ka asgjë të konfirmuar se çfarë ka ndodhur brenda seancës dhe se i ka bërë SPAK-ut një kërkesë për informacion, ku nuk i është dhënë përgjigje

"Seanca ishte me dyer të mbyllura dhe ne nuk kemi pasur akses se çfarë është diskutuar brenda. Kemi një njoftim nga gjykata, e cila ka njoftuar ndryshimin e masës për zotin Xhixho, zëvëndësimin nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje. Ajo që proceduralisht kryhet në këto seanca është paraqitja e provave dhe akteve nga ana e prokurorisë dhe pretendimet e tyre e paraqitja e pretendimeve nga pala tjetër. Dhe gjykata në këtë rast ka vetëm një lehtësim mase, që mesa tha dhe zonja Kryemadhi pasi doli nga seanca, është edhe për arsye shëndetësore. SPAK-ut i kam bërë një kërkesë për informacion që nuk më ka dhënë përgjigje, gjykata po ashtu tha që duhet të pyesim palët dhe zonja Kryemadhi ka deklaruar që ka qenë thjesht një përkëdhelje. Unë nuk kam një informacion sepse nuk kam qenë i pranishëm dhe nuk mund të flas për diçka ku unë nuk kam qenë", tha Hoxha.