Arrestohet kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ish-Presidenti akuzohet për...
Është arrestuar kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ai është vendosur në pranga ditën e sotme.
Burimet bëjnë me dije se kreu i PL-së u arrestua pranë zonës së njohur “Casa Italia” në kryeqytet dhe është akuzuar për ‘pastrim parash’, ‘korrupsion’ dhe ‘mosdeklarim pasurish’.
Në qershor të këtij viti Meta u thirr në Prokurorinë e Posaçme, duke shënuar herën e tretë që mbërrin si deklarues në këtë institucion. Ai dha shpjegime për llogari të hetimit pasuror që po zhvillohet ndaj tij dhe Monika Kryemadhit.
Filtrimi i pasurisë së tyre është pjesë e të njëjtës dosje hetimore me lobimit 700 mijë euro të LSI në SHBA, si edhe kallëzimit për shpenzime të pajustifikuara për ndërhyrje estetike në një klinikë jashtë vendit.
Pasi qëndroi për gati 3 orë e 20 minuta para prokurorëve, Ilir Meta u shfaq në atë kohë para gazetarëve i tensionuar, shumë larg refrenit të tij të dikurshëm të dashurisë e qetësisë.

“Jam pyetur 3 orë kot më kot, për gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me mua, që kanë të bëjnë me veprimet e të tjerëve. Jam pyetur në cilësinë e kundërshtarit të këtij narkoshteti dhe narkoregjimi që e mban në këmbë Dum dumani. Në vend të ndalojë gjithë ato PPP që janë rrjedhja më e madhe financiare e këtij vendi, merret me përrallat e laraskave të tij. Tani po iki se kam sipërmarrjen, kam tryezën. Dum dumani këtë do, të mos merremi. Bën tërë ato akte kriminale kundër opozitës për të shpëtuar Edi Ramën”, tha dikur Meta.
Për të njëjtën çështje dha shpjegime për gati 5 orë deputetja e Partisë së Lirisë, bashkëshorte e Metës, Monika Kryemadhi.
Çifti Meta-Kryemadhi gjithashtu janë në hetim pasuror, si edhe në lidhje me çështjen e lobimit në SHBA.
Me poshtë gazetarët Elton Qyno dhe Edison Vatnikaj zbardhin dosjen e akuzave ndaj ish-Presidentit
President, kryeministër dhe kryeparlamentar, kush është Ilir Meta, i arrestuar me urdhër të SPAK?
Ish-Presidenti, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, është arrestuar këtë të hënë me urdhër të SPAK.
Meta ka mbajtur postet më të larta shtetërore ndërsa aktualisht ishte president i Partisë së Lirisë.
Ilir Rexhep Meta, i lindur më 24 mars 1969 në Skrapar, Shqipëri, është një nga politikanët më të njohur në vend. Ai ka ndjekur studimet në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, ku ka përfunduar me sukses dhe ka vazhduar studimet pasuniversitare.
Aktiviteti i tij politik filloi në vitin 1990, pas rënies së komunizmit, ku ai u angazhua si pjesëmarrës aktiv në lëvizjet studentore për pluralizmin politik.

Meta u zgjodh për herë të parë deputet në vitin 1992 dhe ka shërbyer në shumë poste të rëndësishme. Ai ka shërbyer si Kryeministër i Shqipërisë nga 28 tetori 1999 deri më 29 janar 2002. Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001, ai u rizgjodh si Kryeministër, por dha dorëheqjen më 29 janar 2002 për shkak të tensioneve brenda partisë së tij.
Në vitin 2004, ai themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), një parti që synonte integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Meta mbajti postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë nga 10 shtatori 2013 deri më 28 prill 2017. Pas përfundimit të mandatit si Kryetar i Kuvendit, ai u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë më 28 prill 2017.
Më 28 prill 2017, Ilir Meta u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë me 87 vota nga 140 anëtarët e parlamentit. Gjatë mandatit të tij si president, ai është përballur me sfida të shumta politike dhe sociale, duke përfshirë një krizë të thellë politike që çoi në një proces “impeachment”-i në vitin 2021. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e shpalli atë të pafajshëm dhe anuloi vendimin e parlamentit.
Ai është i martuar me Monika Kryemadhin, me të cilën ka tre fëmijë, edhe pse së fundmi ka lajmëruar se kanë nisur procedurat e divorcit.



