VIDEO/ Debate të ashpra te hetimori, Vokshi: Të njoh mirë që kur ishe nëpër Ministrira. Ndreca: As ma ndjen fare për ju
Eshtë mbledhur Komisioni Hetimor për Shëndetësinë dhe sipas njoftimit zyrtar pritet të dëshmojnë ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ish-ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani.
Po ashtu do të dëshmojnë Admir Daci, Arben Daci, Artan Kalleshi, Altin Fani. Të gjithë dëshmitarët do të pyeten në lidhje me aferën e sterilizimit, për të cilën është arrestuar ish-ministri Ilir Beqaj dhe zyrtarë të tjerë.
Kryetarja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, Albana Vokshi, ka deklaruar sot në mbledhje se ky komision nuk mund të mbyllet pa dëshminë e kryeministrit Edi Rama.
Ajo ka kërkuar shtyrjen e afatit për mbylljen e Komisionit Hetimor, i cili duhet të përfundojë ditën e nesërme.
“Zbatoni Rregulloren, Kushtetutën, ligjin. Të shtyhet me 2-3 javë afati për Komisionin. Nuk është ezauruar lista e dëshmitarëve Të bëjmë transparencë për koncesionet kriminale, abuzive, hajdutët e parave.
Ky komision nuk mund të mbyllet pa dëshminë e kryeministrit Edi Rama. Nuk po respektohet rregullorja, nuk janë respektuar dhe njoftuar oraret”, tha Vokshi.
Edhe deputeti i PL Petrit Vasili, denoncoi njëanshmërinë nga mazhoranca dhe caktimin e mbledhjeve pa prezencën e opozitës.
“Ka parregullsi shumë të mëdha. Nuk ka mundësi të mbyllet në datën 22, të mblidhet Kryesia dhe të diskutohet”, tha ai.
Kaq ka mjaftuar që mbledhja të vijojë me debate të forta mes Vokshit dhe nënkryetarit socialist Plarent Ndreca.
Kryetarja e Komisionit Albana Vokshi tha se Plarent Ndreca ka hall nëse do të shkojë në SPAK me këmbët e veta apo me avokat. Ajo tha se lista e deputetëve të Durrësit është bërë nga bandat.
Ndërsa, Ndreca ia ktheu se ndryshe nga PD, PS nuk e konsideron SPAK-un organizatë kriminale.
Albana Vokshi: A jeni në tërezi apo jo. Nuk bëhet kështu mbledhja. Rendin e ditës e bën kryetarja. Të njoh mirë që kur ishe nëpër Ministrira.
Plarent Ndreca: E bën mbledhjen ¼ e anëtarëve. Po bën presion. Nuk ma ndjen hiç se çfarë thua. Ju e keni penguar Komisionin. Ne kemi pritur gjithmonë me shumë durim.
Albana Vokshi: Si të vijnë mbrapa këta ty. Në SPAK do shkosh me këmbët e tua apo do marrësh avokat. Ky është halli. Lista e Durrësit ka gjysmën e deputetëve në burg. Lista është bërë me urdhër të bandave.
Plarent Ndreca: Ne SPAK nuk e konsiderojmë organizatë kriminale, ndryshe nga ju.
VIDEO-LIVE/ DEBATET E PLOTA NE KOMISION



