EURO NËN 99 LEKË/ Gremina e monedhës evropiane nuk ka më kufij
Euro ka shënuar një tjetër rënie të fortë duke u këmbyer në më pak se 99 lekë. Prej fillimit të muajit leku ka marrë sërish terren, ndërsa duket se shkak është situata ndërkombëtare, investimet e huaja dhe remitancat
Euro ka shënuar një tjetër rënie të fortë duke zbritur në 98.4 lekë kur blihet nga zyrat e këmbimit dhe 98.95 kur shitet prej tyre.
Në 10 ditët e fundit thuajse u krijua një balancë me ndryshime të lehta në kursin e këmbimit, ndërsa në të dhënat e Bankës së Shqipërisë në këtë të enjte grafiku ka shënuar një tjetër rekord të forcimit të parasë vendase
Ndikimi duket se vjen nga fluksi në rritje i monedhave të huaja, por edhe për shkak të zhvillimeve në arenën ndërkombëtare.
Kështu investimet e huaja në vend arritën në 395 milionë euro në tre mujorin e dytë, ndërsa ekspertët deklarojnë se rritje ka edhe në periudhën gusht – shtator.
Të ardhurat e rritura nga turizmi po ashtu kanë ndikuar në vlerën në rritje të parasë. Një tjetër faktor renditen edhe prurjet nga emigrantët për familjet e tyre në Shqipëri.
Në fakt zhvlerësimi i monedhave të huaja, qoftë edhe euro e dollari ka nisur prej më shumë se një vit. Ndërsa vlerën më të lartë monedha e Bashkimit Evropian e arriti në fund të marsit me 104 lekë.
Sipas Bankës së Shqipërisë një situatë e tillë ndihmon edhe në frenimin e rritjes së çmimeve.

