Inflacioni në shtator ulet në 1,9 %! Çmimet e ushqimeve vijojnë të rriten

Inflacioni duket se është stabilizuar duke shënuar në shtator vlerën e 1,9%. Megjithatë çmimet e ushqimeve vijojnë të rriten.

Ritmi i rritjes se çmimeve u ngadalësua në shtator duke kapur nivelin e 1.9% nga 2% që ishte në gusht dhe 4.1% nga një vit më parë.

Referuar të dhënave të INSTAT-i ndonëse ritmi rezulton në rënie grupi i ushqimeve pijeve dhe energjia vijojnë të ndikojnë në rritjen e përgjithshme të çmimeve me gati 0.94 pikë % dhe 0.3 pikë %.

Përveç këtyre grupeve që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve edhe grupi mobiljeve, pajisjeve shtëpiake ka ndikuar me 0.26 pikë %, ndjekur më pas nga pijet alkoolike dhe duhani me 0.17 pikë %.

Ndërkohë, kontribues në rënien e përgjithshme të çmimeve e dha grupi i transporti me gati 0.28 pikë %.

Nëse e krahasojmë me shtatorin e vitit 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin e argëtimit, dhe kulturës me 4.6% pasuar nga veshjet dhe mobiliet, me secila 3.6%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e zarzavate përfshirë patatet patën një rritje me 6,5 %, pasuar nga peshku me 4,6 %, qumësht, djathë dhe vezë me 3,9 %, dhe mishi me 3,4 %.

Të dhënat e fundit të INSTAT-it tregonin që rreth 40 % e të ardhurave të një familjeje shqiptare shkonin për produktet bazë të shportës.

Ndërkohë inflacioni në nivelin e 1.9% regjistrohet nga më i ulëti që prej qershorit të vitit 2021.