Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, Pirdeni: Shumë shpejt do të hapet thirrja për programin e ekselencës
Në Pallatin e Brigadave në Tiranë po zhvillohet një aktivitet, ku në fokus është Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, i cili prej 9 vitesh ofron mundësi për të rinjtë që të fitojnë eksperiencë pune, duke bashkëpunuar me profesionistë të karrierës në administratën publike.
Të pranishëm në aktivitet janë Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi, përfaqësues nga institucionet qendrore e lokale, partnerë ndërkombëtarë etj.
Përfshirja e të rinjve në ndërveprim të plotë me punonjësit brenda administratës publike ndikon pozitivisht në zhvillimin e aftësive profesionale të praktikantëve, si dhe forcon lidhjen e tyre me administratën duke e njohur atë më mirë, e rrjedhimisht duke çelur ura të reja kontributesh për administratën europiane që duam.
Këtë vit janë 463 të rinj që kanë nisur praktikën pranë administratës publike, njësive të vetëqeverisjes vendore dhe institucioneve të tjera të pavarura.
Në fjalën e saj, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin i cilësoi të rinjtë si shtyllë themeli të administratës, të cilët kanë të gjithë mbështetjen e nevojshme për të kontribuar në proceset transformuese që po kalon sot Shqipëria. Ministrja Pirdeni në fjalën e saj nënvizoi se shumë shpejt do të hapet dhe thirrja për programin e ekselencës.
Ministrja Pirdeni tha se fokusi i qeverisë është afrimi i të rinjve më administratën publike dhe për këtë ka patur një seri iniciativash. “Kemi ndërmarrë reforma të rëndësishme, siç është ajo e pagave, duke e rritur nivelin e pagave në sektorin publik në një mesatare prej 900 euro”, tha Pirdeni.
Ajo nënvizoi se “sektori publik sot është konkurues në tregun e punës, veçanërisht për të rinjtë që janë sapo të diplomuar, ashtu sikurse ju. E dimë që ka ende shumë punë për të bërë përpara, për ta bërë edhe më tërheqëse punën në sektorin publik. Prandaj dhe kemi nisur punën për të rigjallëruar të gjithë sektorin e pronave publike, duke i shfrytëzuar ato për ambiente më të mira dhe komode për të gjithë kolegët tanë”, tha Pirdeni.
“Kemi nisur edhe një iniciativë për të rigjallëruar dhe ri-dimensionuar procesin e rekrutimit në administratën publike, për ta bërë atë më dinamikë. Sikurse po fokusohemi shumë fuqimisht drejt forcimit të mekanizmave të vlerësimit të performancës, si perfomancë të institucioneve, por edhe asaj individuale. Është shumë e thjeshtë, më të mirët do duhet të vlerësohen ashtu siç edhe e meritojnë”, theksoi Pirdeni.
“Përgjatë kësaj pune transformuese, kemi patur shansin që të shohim duke shërbyer krah nesh shumë ish-praktikantë, ashtu sikurse shumë ish-studentë të ekselencës. Janë ata që e përfaqësojnë me shumë krenari Shqipërinë në NATO, Shqipërinë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, sikurse shërbejnë sot me shumë devotshmëri, me shumë diligjencë sëbashku me kolegët e tyre me përvojë, për Shqipërinë anëtare në BE në vitin 2030”.
“Në të gjithë sektorët, duke përfshirë këtu që nga drejtësia, tek mjedisi, nga transporti tek siguria ushqimore, nga ekonomia tek bujqësia. I gjithë ky proces, kjo frymë duhet mbajtur gjallë, prandaj do të lançojmë shumë shpejt programin e ri të ekselencës, i cili do të synojë gjithashtu të risjellë në të gjithë zyrat tona frymën e re të të rinjve që do duan të bëhen pjesë e këtij procesi”, shtoi Pirdeni.
“Praktika ka një avantazh të madh, krijon një mundësi për tu përmirësuar, edhe duke bërë gabime. Dua të marrë një shembull nga një prej muzikantëve legjendar të Jazz, Michael Davids, i cili thotë nëse luan një notë gabim, nota e radhës është ajo që të mundëson ta bëshë muzikën e mirë apo të keqe. Pra edhe kur gabohet, ajo që ka rëndësi është si veprohet më pas. Prandaj merrni më të mirën nga kjo përvojë, e cila uroj tju zgjoj dhe një ndjenjë përkatësie me “Shqipërinë 2030””, përfundoi Pirdeni.


