Realizohet për herë të parë në Shqipëri/ Mjekët e “Spitalit Amerikan 2” heqin ujin nga mushkëritë e foshnjës
Për herë të parë në Shqipëri, në “Spitalin Amerikan 2”, u realizua me sukses procedura e rrallë, torakocenteza fetale apo heqja e ujit nga mushkëritë e foshnjës, ndërsa është ende në barkun e nënës.
Një 29-vjeçare u diagnostikua në muajin e 6 të shtatzanisë dhe iu nënshtrua kësaj procedure dy herw, ku u hoqën 290 ml ujë në total nga mushkëritë e fetusit duke i shpëtuar jetën.
Procedura u realizua nga mjekja Marinela Biba, specialiste e mjekësisë materno-fetale, obstetër-gjinekolog doktor Ernald Zeqja, dhe doktoreshë Jonela Lulo.
“Pas ekzaminimeve të kryera u vu re që nuk mbetej edhe shumë kohë, për të ndërhyrë in utero për shkak se flukset e qarkullimit të gjakut te bebit ishin kompromentuar. Përmes një ageje të hollë, futemi te barku i nënës dhe më tej te kraharori i bebit për të larguar gjithë atë sasi ujërash ose likidesh rreth mushkërive të bebit. Është një procedurë që ishte e nevojshme të kryhej dy herë gjatë shtatzënisë dhe shkalla e vështirësisë është shumë më e madhe se sa te një bebe e lindur”.
Rekomandohet të kryhet te bebi ende pa lindur pasi mund të çojë në komplikime serioze deri tek ndërprerja e shtatzënisë.
Por edhe kur vazhdon mund të shfaqen komplikacione serioze menjëherë pas lindjes
“Më tej ecuria e shtatzënisë ka qenë e mbarë, lindja u krye me sukses, bebi pati ecuri të mirë, patjetër që ka qenë e nevojshme një kujdes i veçantë në periudhën post-partum.
Bebi është 3 muajsh tani dhe gëzon shëndet të plotë. Do të doja të falënderoja prindërit e fëmijës të cilët kanë pasur besim tek ne”.
Një tjetër sukses që pasqyron përparimin e mjekësisë në Shqipëri dhe krijon mundësi për trajtime inovative në raste të ngjashme.


