“Rritja e pensioneve, qesharake”/ Aktivistët dhe minatorët thirrje për reformë të thellë në skemën e pensioneve
Aktivistët e Lëvizjes BASHKË, së bashku me përfaqësues të pensionistëve dhe minatorëve, organizuan një aksion simbolik përpara Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ky aksion kishte për qëllim të denoncojë rritjen e papërfillshme të pensioneve, e cila shkon nga 11 deri në 23 lekë në ditë.
Këto ushqime dhe pak qindarka në dyert e Ministrisë së Ekonomisë janë simbol i lëmoshës së papranueshme që ofrohet për pensionistët nga qeveria.
Kërkojnë reformë të thellë të skemës së pensioneve, e cila do të sigurojë pensione që fillojnë nga minimumi jetik.
Arlind Qori, kryetari i partisë Lëvizja BASHKË theksoi se është e domosdoshme që qeveria të marrë masa serioze për përmirësimin e kushteve të jetesës për pensionistët.

"11 deri në 23 lekë në ditë është rritja për shumicën dërrmuese të pensionistëve, të cilët ende sot marrin pensione shumë më të ulëta se minimumi jetik, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet e fundit në Evropë për nivelin e pensioneve. Qeveria e Edi Ramës nuk mund t'i rrisë dot pensionet.
Nuk mundet edhe të vjedhësh popullin, edhe të rritësh pensionet. Nuk mundet edhe të mbushësh çdo vit llogaritë bankare të oligarkëve me qindra miliona dollarë, edhe të rritësh pensionet.

Nuk mundet edhe të kesh ortakë evazorët e mëdhenj fiskalë, edhe të rritësh pensionet. Nuk mundet edhe të krenohesh me mungesën e sindikatave dhe punën në të zezë, edhe të rritësh pensionet.

Vetëm Lëvizja BASHKË ka programin, kapacitetin qeverisës dhe ndershmërinë qytetare për të transformuar rrënjësisht mënyrën e qeverisjes dhe për të rimëkëmbur ekonominë shqiptare, duke krijuar kushtet për rritjen e pensioneve, duke nisur nga dyshemeja e minimumit jetik. I ftojmë të gjithë pensionistët t'i bashkohen aksionit tonë politik për të kërkuar pensione të dinjitetshme", tha Qori.
Aksioni përfundoi me një mesazh të qartë pensionet duhet të reflektojnë vlerën e punës së kaluar dhe nevojat e sotme të pensionistëve.


