ALARM USHQIMOR/ Qytetarët kanë konsumuar perime me pesticide. ISUV vonon 3 muaj përgjigjen e analizave
Qytetarët kanë konsumuar perime me nivel të lartë pesticidesh, pasi përgjigjet e analizave laboratorike të dërguara në ISUV kanë dalë me 3 muaj vonesë.
Ky është konstatimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit pas auditit të kryer në DRAKU qarku Tiranë.
Sipas KLSH-së, në rrjetin më të madh të supermarketeve në vend, inspektorët e AKU-t kanë marrë mostra spinaqi dhe e kanë dërguar në laboratorin e ISUV për të analizuar praninë e pesticideve.
Gjatë analizimit të këtij produkti është konstatuar prani mbi normat e lejuara të pesticideve, e në këto kushte spinaqi duhet të largohej menjëherë nga raftet e supermarketit.
Asnjë gram spinaq me pesticide nuk u asgjësua, por i gjithi u shit, sepse ISUV e nxori përgjigjen e analizave pas 24 ditësh.
Në këtë hark kohor dhjetëra kilogramë spinaq me nivele tej normave të lejuara pesticidesh është shitur te konsumatorët.
Mos bllokimi i produktit nga inspektorët e AKU-t deri në pritje të rezultatit të analizave dhe vonesa e përgjigjes nga ISUV ka bërë që qytetarët të konsumojnë një produkt që duhej të ishte asgjësuar.
Televizioni “Ora News” i kërkoi informacion ISUV-it se sa është koha minimale dhe maksimale për daljen e rezultatit të analizave që nga data e pranimit të mostrave?
Ky institucion na bën me dije se përgjigjet e analizave në kuadër të planit të monitorimit dalin për 6 ditë, ndërsa për rastet me indicie ky shërbim ofrohet për 48 orë.
Vonesat në daljen e rezultateve të analizave po e kthen këtë institucion në Institutin e “Pa” Sigurisë Ushqimore.
Por kjo është vetëm maja e ajsbergut, sepse, sipas KLSH-së, shkeljet janë akoma më të mëdha se kaq.
Në dhjetëra raste të tjera përgjigjet e analizave laboratorike në fruta dhe perime për praninë e pesticideve kanë dalë 3 muaj me vonesë, çka ka humbur qëllimin e kryerjes së analizave, sepse frutat dhe perimetë shitur.
Deri sa ISUV të zgjohet nga gjumi dhe të respektojë afatet kohore që njeh ligji, siguria konsumatore do vijojë të jetë në mëshirë të fatit.


