“BOOM” KËRKESASH PËR KREDI/ Rritje e lartë nga individët, më pak refuzime nga bankat
Bankat kanë njohur një rritje të dosjeve me kërkesa për kredi, kryesisht nga individë dhe për blerje të pasurive të paluajtshme. Sipas të dhënave niveli i refuzimeve arriti në rreth 6 për qind. Edhe në rastet e bizneseve u shënua zgjerim i portofolit të huadhënieve
Kërkesa për kredi u rrit gjatë 6 mujorit te parë të 2024. Sipas Bankës së Shqipërisë institucionet financiare morën në shqyrtim 72,418 aplikime për hua, shifër kjo ne rritje me 11.4% me shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Nga këto 72 mijë aplikime, ose përkatësisht 91% e kërkesave ishin nga individë dhe të tjerat bizneseve.
Niveli i refuzimit shfaqet i ulët, por në këtë rast kryesojnë individët duke pasur më shumë preference për zgjerimin e bizneset.
Referuar të dhënave, dy grupet bankare me kapital te huaj dhe atyre vendas, kanë shfaqur qëndrime të ndryshme sa i përket refuzimeve.
Bankat shqiptare kanë shfaqur prirje lehtësuese, duke refuzuar vetëm 4% të kërkesave për huamarrje nga individët, ndërsa bankat e huaja kanë refuzuar 7% të aplikimeve.
Sipas Bankës së Shqipërisë, sektori i pasurive të paluajtshme kryeson financimin më te madh të marrë nga bankat.
Vetëm në muajt e parë të këtij viti është marrë gati 4.5 miliardë lekë kredi për blerje te pasurive te patundshme nga 3.1 miliardë që u mor vitin e kaluar.


