Zv.Rektori i UBT-së, Kapaj: Ka 3 faza për regjistrimin, emigracioni ka ndikuar në numrin e studentëve, por edhe zgjedhjet e prindërve  

Në fokus të emisionit “Epiqendër” në “Ora News” të kësaj të enjteje të moderatores Sonila Musai ishte Arsimi dhe tregu i punës për të rinjtë pas përfundimit të studimeve universitare, problemet dhe mundësitë për përmirësim të sistemit arsimor shqiptar.

Për të kuptuar më shumë mbi situatën aktuale të arsimit i ftuar ishte Zëvendës Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Ilir Kapaj.

“Në të gjitha institucionet e sistemit universitar në Shqipëri ka filluar procesi i regjistrimeve dhe ka përfunduar faza e parë e regjistrimeve më 13 shtator, ndërkohë që faza e dytë nis më 28 shtator deri më 2 tetor.

Raundi i parë na ka dhënë një panoramë të përgjithshme, ku pak a shumë vërejmë se kemi të njëjtin trend si vitin e kaluar pak a shumë me nota të vogla në ulje sa i përket regjistrimeve në UBT. Ajo që vihet re ka një rritje të vogël sa i përket programeve të shkencave bujqësore.

Por ne mendojmë se me fazën e dytë dhe të tretë, pasi ka dhe një tjetër fazë për regjistrimin, ku maturantët mund të aplikojnë për t’u regjistruar përmes një kërkese, mjafton që të jenë pjesë e sistemit.

Është e vërtetë në fakt që emigrimi ka një efekt real në numrin e përgjithshëm të maturantëve që ndjekin studimet, por ka dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në numrin e aplikantëve për t’u regjistruar.    

Kjo lidhet me faktin se prindërit e maturantëve janë bërë më pragmatistë në regjistrimin e fëmijëve të tyre. Pra ata nuk e shikojnë perspektivën e tyre afatgjatë me një diplomë universitare në tregun e punës.

Preferojnë që më mirë të mos futen fare në studimet universitare por të futen direkt në tregun e punës”, u shpreh ndër të tjera, Zëvendës Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Ilir Kapaj.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR” NË “ORA NEWS”