VIDEO/ Fokusi i FA-ve te kapitali njerëzor, një nga prioritetet kryesore të mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh sot se, fokusi te kapitali njerëzor është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes.

Vengu theksoi se, përveç rritjes së pagave në vitin 2024, Ministria e Mbrojtjes po nxit edhe procesin e arsimit profesional për të plotësuar nevojat e Forcave të Armatosura në rrugën drejt modernizimit.

Forca Ajrore është momentalisht në një proces që ka nisur me kompletimin e flotës me mjete fluturuese, ndërsa paralelisht, arsimi profesional që lidhet me pilotët e rinj, po vijon me ritëm të plotë, shtoi ministri.

Vengu theksoi se, trajnimi teorik dhe kryesisht ai praktik është shumë i rëndësishëm në kurset profesionale të pilotëve të ardhshëm të Forcave të Armatosura, një aset i çmuar i Flotës së Ajrit.

Adea Ahmeti, Nën/Togere e Forcave Ajrore u shpreh në videon e ndarë nga ministri Vengu se, “pas mbarimit të një cikli të plotë akademik në Akademinë e Forcave të Armatosura kjo është një mundësi shumë e mirë për të ndjekur një formim profesional dhe veçanërisht këtu në Forcën Ajrore”.