Berisha: Rama është pasuruar me 220 mijë m² tokë. Shkelmimi i Kushtetueses për Xhaçkën ka lidhje me këtë. Himariotët të mos votojnë mafien e pronave
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga dritarja e banesës ku qëndron i izoluar që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, në protestën e mbrëmjes së sotme ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka shkelmuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes së PS-së, Olta Xhaçka, pasi është bërë pasuruar me 220 mijë metra katrorë tokë në Vuno.
"Edvin Gjipeja është pasuruar me 220 mijë m2 tokë. Shkelmimi i vendimit të Kushtetueses për Olta Xhaçken ka lidhje me këtë vendim", theksoi Berisha.
Berisha në fjalën e tij përpara protestuesve te 'Rruga e Shpresës' është shprehur se Rama për interesat e tij mafioze dhe për grabitjen e pronave në Himarë, burgosi politikisht kryetarin e zgjedhur, Fredi Belerin.
Pjesë nga fjalimi i Berishës
Të dashur miq, sot mbyllet fushata elektorale në Bashkinë e Himarës.
Sot në Himarë, me dy dëshmitarë të rremë dhe mëkatarë si ata, Vangjel Tavon dhe Blendi Klosin, kishte zbritur edhe Edvin Gjipeja.
Edvin Gjipeja në maj të këtij viti bëri be e rrufe, u betua edhe për kokën e nënës së vet të ndjerë, se ai dhe e ndjera nëna e tij, nuk kanë kërkuar kurrë një metër katror.
Ndërsa sot, dje, pardje dalin dokumente se në Gjipe, ai dhe mamaja e tij e ndjerë dhe kushërinjtë e tij, janë pasuruar me 220 mijë metër katror tokë.
Edvin Gjipeja, kam disa pyetje. Se tani e tutje do të quajmë Edvin Gjipeja.
A ka lidhje shkarkimi i Artan Lames me refuzimin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave për njohjen dhe kthimin e asaj prone nënës tuaj të ndjerë dhe ty?
Edvin, a ka lidhje me atë pronë akuza publike që të ka bërë kushëriri yt në Vlorë se i ke grabitur pronat atij?
Edvin Gjipeja, thuaju pak himariotëve, vlonjateve dhe shqiptarëve, a ka lidhje me atë proces shkarkimi njëra pas tjetrës i 8 drejtorëve, drejtoreshave të Kadastrës së Vlorës?
Edvin, doli e qartë si drita e diellit, siç kisha deklaruar me dhjetëra herë, se Himara është futur në rrethin e interesave më mafioze të Edvin Gjipesë.
A ka lidhje me interesat e tua mafioze, shkelmimi i Gjykatës Kushtetuese dhe vendimeve të saj për Olta Xhaçkën?
A ka lidhje Edvin?
Cili është roli yt në shkelmimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese?
Folu shqiptarëve se tani zbërthehen të gjitha.
O miq, mafiozi nuk ka atdhe, nuk ka fe, nuk ka moral, mafiozi është vetëm mafioz.
Ka vetëm interesa mafioze.
Për interesat mafioze të Oltës Strategjike, shkelmon mbi Gjykatën Kushtetuese, mbi Kushtetutën dhe rendin kushtetues.
Për interesat më mafioze, burgos Belerin me motive tërësisht politike, vetëm e vetëm se Beleri ia bënte pluhur ëndrrën e Gjipesë të 224 mijë metra katrorë tokë.
E keni parasysh? E dini ku u bie Gjipeja? Kanioni i Gjipesë.
Imagjinoni ju se ku i ka ngelur shpirti atij.
Pra, qytetare dhe qytetarë të Himarës, vota pasnesër për kandidatin e opozitës është votë për pronat tuaja.
Është votë për të drejtat tuaja.
Është votë për të mbrojtur tokat, pronat nga mafia më e pashpirt, më e rrezikshme jo vetëm e Shqipërisë, por edhe e Ballkanit dhe Europës që kryesohet nga Edi Rama.
Vangjel Tava nuk përfaqëson asgjë tjetër vetëm një kukull të Edi Ramës, që emërohet aty vetëm për Gjipenë.
Po Gjipeja është një dosje.
Po ku ta dimë ne sa dosje të tjera mund të ketë ky njeri që para tre muajsh na zotohej se unë dhe nëna ime e ndjerë, nuk kemi kërkuar një metër katror tokë?
Po çfarë rrenacaku është ky?
Edhe shpirtin e nënës së vdekur e përdorur për të mashtruar.
Çfarë morali ka ky?
Ndaj dhe e mbyll këtë fjalë, me thirrjen time për qytetarët e Himarës, shmangni çdo provokim, votoni si qytetarë të denjë ditën e dielë.
Përçmoni çdo përpjekje për të krijuar provokacione ndaj jush nga bandat e Edi Ramës dhe fitorja është e juaja, fitorja është e Himarës, është e demokracisë.
Fitore, fitore, fitore!



