Spiropali pret Konjufcën: Bashkëpunim vëllazëror me Kuvendin e Kosovës

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali priti sot në një takim kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Spiropali u shpreh e lumtur që vizitën e parë miqësore në zyrë pas marrjes së detyrës së kryetares së Kuvendit, e pati nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës kanë ndërtuar një bashkëpunim vëllazëror të shkëlqyer, jo thjesht protokollar, por funksional dhe praktik, mes kryetarëve, komisioneve parlamentare, grupeve parlamentare dhe deputetëve”, theksoi Spiropali në një postim.

Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se, Memorandumi i Bashkëpunimit, nënshkruar në shtator 2022, krijoi një kuadër të përbashkët për bashkëpunimin parlamentar, i cili u pasua nga mbledhja e përbashkët e dy Kuvendeve, me rastin e 110-vjetorit të pavarësisë, më 27 nëntor 2022.

“Të dy kuvendet tona do të vijojnë të bashkëpunojnë për proceset integruese në BE, mbështetjen e pranimit të Kosovës në NATO, Këshillin e Evropës dhe përfaqësimin në organizatat ndërkombëtare”, theksoi Spiropali.

Delegacionet e Kuvendit të Shqipërisë në organizatat parlamentare ndërkombëtare po lobojnë fort për rritjen e përfaqësimit, njohjeve dhe rolit ndërkombëtar të Kosovës, theksoi Spiropali e cila u shpreh se, “vizitën e parë si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë padyshim do ta mbaj në Kosovë”.