Tavo: 4 gushti, zgjidhje për të gjitha shqetësimet e Himarës

Kandidati i Partisë Socialiste për kryetar bashkie në Himarë, Vangjel Tavo i cilësoi sot zgjedhjet e 4 gushtit si një mundësi për të bashkuar.

Përmes një videomesazhi drejtuar banorëve të Himarës, Tavo garantoi se “ne do punojmë së bashku në shërbim të Himarës”.

“4 gushti nuk është thjesht zgjedhje por zgjidhje për të gjitha shqetësimet dhe nevojat tuaja.

Unë ju premtoj se pas 4 gushtit Himara do ketë avokatin e vet në të gjitha institucionet shtetërore, e më tej”, siguroi ai.

Tavo u zotua se Bashkia e Himarës do jetë bashkia e qytetarëve dhe dera e zyrës së tij do të jetë gjithmonë e hapur për të gjithë.

“Një e ardhme më e mirë, më e paqtë, më e bashkuar dhe më e begatë, na pret përpara për Himarën.

Ju jam mirënjohës për mbështetjen tuaj. E ndihem thellësisht i nderuar që do ju shërbej si kryetar i Bashkisë së Himarës”, u shpreh Tavo.