Arrestimi i Beqajt, Tafani: Kush ka vajtur në SPAK, ka rënë brenda, vetëm Veliaj është jashtë, akoma për pak

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pjesë e kabinetit qeveritar në mandatin e parë të kryeministrit Edi Rama, u arrestua sot nën dyshimet për përfshirje në një skemë korrupsioni për përfitime nga fondet e Agjencisë së koordinimit të ndihmës së huaj (SASPAC), të cilën e drejtonte që prej vitit 2021, si dhe për fshehje të pasurisë.

Përveç tij, mësohet se Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, ka lëshuar urdhëra arresti me burg dhe për dy persona të tjerë, Ermal Kurtullën, një bashkëpunëtor i ngushtë i zotit Beqaj, dhe Alfred Nikollën, drejtues i një kompanie private që merrej me organizimin e eventeve.

Për katër persona të tjerë, të gjithë me aktivitet privat është vendosur masa arrest shtëpie (Gazmend Haxhia dhe Elton Marini) apo detyrim paraqitje (Bledar Leka dhe Bjona Zijaj).

Për të gjithë emrat e përfshirë në këtë hetim, janë ngritur një seri akuzash, nga korrupsion, te fshehje të pasurisë, mashtrim apo dhe shkelje të barazisë në tendera.

Lidhur me këtë arrestim në studion e emisionit “Drejt” nga Luan Rama në “Ora News”, juristi dhe politologu Endri Tafani u shpreh se pavarësisht arrestimit, kemi të bëjmë me persona që kanë pasur marrëdhënie personale me vetë kryeministrin Edi Rama.

“Mos harrojmë se kemi rastin e ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, i cili kishte një peshë shumë të madhe politike, sepse mbante një qark të madh si Durrësi, së bashku me ish-ministrin Lefter Koka.

Dhe të shikosh raportin e votave në Shqipëri, marrja e pushtetit vendoset në Tiranë dhe Durrës. Kjo do të thotë se këta figura pa të cilat Rama nuk bën dot në zgjedhje aktualisht janë brenda në burg.

Kështu që SPAK-u e ka demonstruar edhe më përpara se nuk e ka problem emrin e atyre që kanë vajtur deri tani dhe nga të gjithë emrat që kanë vajtur vetëm njëri ende nuk ka rënë brenda, siç është rasti i kryebashkiakut të Tiranës”, u shpreh Tafani.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT” NË “ORA NEWS”