Tabaku: Vota e diasporës duhet të jetë kryefjalë, PS-ja nuk mori përsipër ta çonte përpara si iniciativë
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, sot gjatë seancës parlamentare, ku u diskutua edhe raporti vjetor i KQZ, tha se shifrat e Censit të publikuara nga INSTAT treguan një Shqipëri tjetër jashtë Shqipërisë sonë dhe se vota e diasporës duhet të jetë kryefjalë.
Tabaku, mbajti një qëndrim publik në lidhje me votën e diasporës, duke i kërkuar Komisionit të Reformës Zgjedhore që të ofrojë mundësinë diasporës për të votuar.
Ajo i kujtoi deputetit socialist Damian Gjiknuri që asnjë nga deputetët socialistë nuk mori përsipër votën e diasporës, ndërkohë që ishin deputetët demokratë që kërkuan votën e tyre përmes një propozimi ligjor.
“Është fatkeqësi që ne votën e diasporës e trajtojmë si mall politik. Sot, zyrtarisht me të dhënat e INSTAT-it fatkeqësisht Shqipëria është më e vogël brenda sesa jashtë territorit. Edhe duke i marrë me pikëpyetje të madhe ato të dhëna, edhe vetë ju thonë që janë 2.4 mln shqiptarë brenda territorit, me pak zyrtarisht sesa ato që janë jashtë. Nuk ka betejë më të madhe për opozitën se vota e diasporës”, tha Tabaku.
“Kemi mbi dy vite që kemi nisur një debat përsa i përket votës së diasporës. Nëse nuk bie dakord me asnjë fjalë me ato çfarë tha z. Gjiknuri, e vetmja fjalë që biem dakord besoj të gjithë është “që nuk ka asnjë palë të interesuar si opozita për sa i përket votës së diasporës”. Opozita është e interesuara e parë dhe për këtë arsyje në emër të opozitës, nisëm një diskutim edhe me iniciativë të KQZ-së, me grupe të ndryshme të diasporës, me të rinjë që kanë emigruar, por njëkohësisht dhe me aktivistë të cilët sot një propozim në parlament që mbeti jetim. PS-ja nuk mori përsipër ta çonte përpara si iniciativë ligjore”, u shpreh Tabaku, ndërsa i kujtonte mazhorancës socialiste se nuk kanë pasur dhe nuk kanë qëllim votën e diasporës.
Më pas deputetja e PD evidentoi argumentet nga brenda raportit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e vitit 2021.
”Nuk është e vërtetë në asnjë rast që ndryshimet e korrikut 2020 janë të certifikuara. Edhe raporti i OSBE/ODHIR-it me rekomandimet, që duhet të kishte qenë plani i punës i Komisionit të Reformës Zgjedhore, e thotë në mënyrë të qartë që ndryshimet kanë qenë të njëanëshme. E thotë në mënyrë të qartë që KQZ-ja nuk kishte kohë që t’i zbatonte ndryshimet e Kodit Zgjedhor në zgjedhje, sepse deri ditën e fundit në momentin e rregjistrimit nuk ishte përcaktuar fleta e votimit. Deri ditën e fundit ka pasur ndryshime që vijnë si rezultat i vullnetit politik të palëve”, evidentoi Tabaku.
Më pas ajo argumentoi se si ndryshimet e njëanëshme ligjore të mazhorancës përpara zgjedhjeve të 2021 ishin problematike dhe që nuk përfaqësojnë realisht vullnetin politik të shqiptarëve.
“Është fatkeqësi që ne votën e diasporës e trajtojmë si mall politik,” vijoi më tej deputetja demokrate, ndërsa solli shifrat e INSTAT dhe se si ato tregojnë domosdoshmërinë e një reforme reale zgjedhore që duhet ta ndërmarrë parasysh këto shifra.
Në fund të fjalës, deputetja Tabaku i kujtoi mazhorancës socialiste se në të vërtetë dosjet e Dibrës dhe Durrësit për zgjedhjet e rikthyen pikëpyetjen e madhe edhe në raportet e BE për Shqipërinë. Ajo i kujtoi socialistëve se në degën 3, ku ajo ka qenë në garë në zgjedhjet e 2021, iu desh të përballej ndër të tjera edhe me Mariglen Qaton, që sot akuzohet për korrupsion dhe fshehje pasurie.
