Në burg jo për koncesionet, Hoxha: Dosja e BE-së duket si një mizë para një elefanti. Beqaj, duket si një njeri që nuk rri dot pa vjedhur
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pjesë e kabinetit qeveritar në mandatin e parë të kryeministrit Edi Rama, u arrestua sot nën dyshimet për përfshirje në një skemë korrupsioni për përfitime nga fondet e Agjencisë së koordinimit të ndihmës së huaj (SASPAC), të cilën e drejtonte që prej vitit 2021, si dhe për fshehje të pasurisë.
Përveç tij, mësohet se Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, ka lëshuar urdhëra arresti me burg dhe për dy persona të tjerë, Ermal Kurtullën, një bashkëpunëtor i ngushtë i zotit Beqaj, dhe Alfred Nikollën, drejtues i një kompanie private që merrej me organizimin e eventeve.
Për katër persona të tjerë, të gjithë me aktivitet privat është vendosur masa arrest shtëpie (Gazmend Haxhia dhe Elton Marini) apo detyrim paraqitje (Bledar Leka dhe Bjona Zijaj).
Për të gjithë emrat e përfshirë në këtë hetim, janë ngritur një seri akuzash, nga korrupsion, te fshehje të pasurisë, mashtrim apo dhe shkelje të barazisë në tendera.
Lidhur me këtë arrestim në studion e emisionit “Drejt” nga Luan Rama në “Ora News”, avokati Arbër Hoxha u shpreh se nëse do të bëhej një krahasim për veprat penale për të cilat Ilir Beqaj dyshohet në të dyja dosjet, në atë të dosjes për të cilën u arrestua me atë të koncesioneve në shëndetësi, kemi të bëjmë me një mizë që krahasohet me një elefant.
“Që do të thotë se në dosjen e Sterilizimit dyshohet se janë vjedhur miliona e miliona euro, ndërsa për këtë të BE-së, duket sikur është arrestuar për asgjë.
Por patjetër që dosja e SASPAC-ut e ka vënë atë në pranga, pasi mbase nuk është një pyetje kjo për një avokat, por për një psikolog apo psikiatër, mesa duket kemi të bëjmë me rastin e kleptomanisë në rastin konkret.
Pra kemi të bëjmë me rastin e një njeriu që nuk rri dot pa vjedhur”, u shpreh ndër të tjera avokati Arbër Hoxha.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT” NË “ORA NEWS”


