Balla: Zjarrfikësit dhe helikopteri i FA po punojnë për fikjen e zjarrit në Dhërmi
Një vatër zjarri është aktivizuar sot në fshatin Dhërmi. Zjarri ka rënë në një kodër dhe përhapja e flakëve është favorizuar nga era e fortë në zonë.
Në zonën ku ka rënë zjarri janë zjarrfikësit, ndërsa përveç ndërhyrjes nga toka ka mbërritur edhe helikopteri për të bërë të mundur lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.
Ministri i Brendshëm Taualant Balla, në një postim në rrjetet sociale njofton se në zonë janë zjarrfikësit dhe helikopteri i Forcave të Armatosura.
“Shërbimet zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura po punojnë për fikjen e një zjarri në një zonë pyjore Dhërmi. Në krye të detyrës”, shkruan Balla në postimin e tij.
Në ndihmë të zjarrfikësve të Himarës janë dhe banorë të fshatit Dhërmi, të cilët me mjete rrethanore po ndihmojnë për izolimin e zjarrit dhe moslejimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
