Në pranga për fondet e BE-së, jo për koncesionet, Malësia: Groteske! Beqaj e priste SPAK-un nga dera, ai i erdhi nga dritarja
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pjesë e kabinetit qeveritar në mandatin e parë të kryeministrit Edi Rama, u arrestua sot nën dyshimet për përfshirje në një skemë korrupsioni për përfitime nga fondet e Agjencisë së koordinimit të ndihmës së huaj (SASPAC), të cilën e drejtonte që prej vitit 2021, si dhe për fshehje të pasurisë.
Përveç tij, mësohet se Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, ka lëshuar urdhëra arresti me burg dhe për dy persona të tjerë, Ermal Kurtullën, një bashkëpunëtor i ngushtë i zotit Beqaj, dhe Alfred Nikollën, drejtues i një kompanie private që merrej me organizimin e eventeve.
Për katër persona të tjerë, të gjithë me aktivitet privat është vendosur masa arrest shtëpie (Gazmend Haxhia dhe Elton Marini) apo detyrim paraqitje (Bledar Leka dhe Bjona Zijaj).
Për të gjithë emrat e përfshirë në këtë hetim, janë ngritur një seri akuzash, nga korrupsion, te fshehje të pasurisë, mashtrim apo dhe shkelje të barazisë në tendera.
Lidhur me këtë arrestim në studion e emisionit “Drejt” nga Luan Rama në “Ora News”, gazetari dhe moderatori Xhoi Malësia e cilësoi si groteske dhe tragji-komike atë që ka ndodhur sot me Ilir Beqajn.
“Sepse nëse Ilir Beqaj e priste SPAK-un nga dera, ai i erdhi nga dritarja.
Dhe nëse e mbani mend kur ai mbeti pa punë ai u caktua si koordinator i paketave financiare që njihen me akronimin SASPAC, që dhe SPAK-un e ka brenda.
Kështu që janë shumë elementë që e bëjnë komike situatën.
Por përtej shakasë ai është arrestuar për shpërdorim të detyrës, dyshohet për korrupsion dhe pastrim të parave, sepse në lojë përfshihet edhe një biznes që defacto SPAK-u mendon se zotërohet pikërisht nga Ilir Beqaj”, u shpreh ndër të tjera gazetari Xhoi Malësia.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT” NË “ORA NEWS”


