Bylykbashi: Zgjedhjet e mbajtura nga mazhoranca duhet të kundështohen, të korruptuara nga 'koka te këmbët'

Si çdo herë, edhe mbajtja e sotme e seancës plenare në Kuvend është shoqëruar me debate e tone të ashpra ku nuk kanë munguar akuzat e opozitës ndaj qeverisë së Edi Ramës.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, u shpreh se të gjitha zgjedhjet që ka bërë mazhoranca duhet të protestohen për të drejtën e qytetarëve pasi janë të korruptuara nga ‘koka te këmbët’.

Bylukbashi: Të gjitha zgjedhjet që ka bërë kjo mazhorancë janë mirë të protestohen për të drejtën tuaj që kur një kast politike korruptohet dhe krimbet nga koka te këmbët pastrim dhe Vetting më të mirë nuk ka se vota e qytetarëve. Pikërisht kjo është ajo që kanë bllokuar këta e kjo është ajo që duhet ta vendosni ju duke protestuar kështu që me 11 Korrik ftesa është për këdo që votën e ka si zërin e lirinë e tij për të vendosur ju se kush është kryeministër, jo kryeministri zgjedhësit.

Përpara meje kam marrëveshjen e 5 qershorit 2020 e shkruar në anglisht e hartuar nga përfaqësuesja më e lartë diplomatike në Shqipëri e mbështetur nga Anglia, SHBA dhe faktori kombëtar. Më pas del sekretari i shtetit dhe ka kërkuar kodifikimin e saj pa vonesë, ka dalë e ka mbështetur BE dhe më datë 16 korrik për shkak të kërcënimit Edi Rama doli e tha se unë do e ndryshoj. Ky është Rama që kërkon të fragmentojë opozitën në mënyrë që votat që ai merr përmes mekanizmit grabitqar shtetëror t’i përdorë përmes formulave matematikore të ftohta duke mos u kuptuar se çfarë ka ndodhur jashtë kutisë së votimit.