"Euro 2024", Kombëtarja nis përgatitjet për Italinë, Hysaj: Ekipi është në formë të mirë taktike
Kombëtarja shqiptare do të rinisë këtë të hënë përgatitjet për ndeshjen e parë të Grupit B në Euro 2024 ndaj Italisë, që do të luhet në stadiumin e Dortmundit më datë 15 qershor, ora 21:00.
Pas një dite pushim, kuqezinjtë do të zhvillojnë dy seanca stërvitore në kampin bazë të Shqipërisë në Kaiserau.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se, seanca e parë e të hënës do të nisë në ora 11:00 dhe do të jetë e hapur 15 minutat e para për median, ndërsa seanca e dytë do të startojë në ora 17:00 dhe do të jetë gjithashtu e hapur për median.
Sakaq, në një konferencë për median sot njëri nga futbollistët kuqezi, Elseid Hysaj u shpreh se ekipi është në formë të mirë taktike.
Nga kampi bazë në SportCentrum Kaiserau anësori i mbrojtjes së Kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj zhvilloi këtë të martë një konferencë për shtyp, nga ku bëri edhe një koment për rëndësinë që kanë pikët e marra, në përballjen ndaj Italisë, si dhe për seriozitetin që ka kapluar djemtë e Kombëtares para kësaj sfide.
“Për ne Italia është një pikë kyçe, por duhet ta tregojmë me vepra në fushën e lojës dhe jo me fjalë. Të tregojmë që i duam me ngulm ato pikë. Rëndësi është që të mos humbasim. Portugalia kaloi me tre pikë në 2016-ën, gjithçka mund të ndodhë.
Sa i përket stërvitjes besoj që kemi një ndryshim në mentalitet, me ndeshjen që po afron tashmë jemi më serioz, nuk kemi më kohë për të shpenzuar për asgjë tjetër përveç sfidave të Evropianit”,- tha “pistoni” i djathtë.
Hysaj bëri edhe një koment për formën e keqe që po kalon Italia, si dhe cilësitë që “Të Kaltërit” posedojnë,
“Siç e thashë edhe më parë e njohim mirë futbollin italian, por nuk është e thënë se mund ta ndalosh gjithmonë kundërshtarin, pavarësisht sesa mund t’i njohim.
Italia është një nga skuadrat më të forta në Evropë, të njëjtën gjë bëri edhe edicionin e kaluar, ku fituan turneun. Ne i dimë vlerat tona, e dimë që mund të fitojmë kundër skuadrave të forta, pastaj në futboll ndodh gjithçka”, tha Hysaj gjatë konferencës.



