Danimarka si Shqipëria në Europian

Trajneri Silvinjo ka marrë me vete 26 futbollistë në Euro 2024, por ajo që i ka bërë përshtypje shumëkujt është se asnjë prej këtyre lojtarëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë, nuk militojnë në radhët e skuadrave të kampionatit shqiptar.

Edhe pse prej një viti e gjysmë Slvinjo jeton në Shqipëri dhe monitoron kampionatin shqiptar, ai ka vlerësuar se nuk ka lojtarë të cilët meritojnë të jenë pjesë e fazës finale të Europianit. Mungesa e lojtarëve të Superiores ka qenë vazhdimisht temë diskutimi edhe në fazën eliminatore të Europianit, duke bërë të qartë se trajneri brazilian nuk beson te cilësia e kampionatit tonë.

Por Shqipëria nuk do të jetë përfaqësuesja e vetme me një situatë të tillë në Europian.

Edhe Danimarka, fituese e Europianit 1992, do të udhëtojë drejt Gjermanisë me zero përfaqësues nga kampionati vendas.

Kjo, jo për faktin se cilësia e kampionatit danez është e ulët, por sepse lojtarët e vendit skandinav luajnë në kampionate shumë më të forta.