Po gënjeve, ikën!/ Integriteti i Policisë, në formular shtohen të tjera pyetje, ndërsa s'ka asnjë të dhënë për procesin e parë për efektivët

Pastrimit brenda radhëve të policisë nga persona të inkriminuar, apo të lidhur me krimin i shtohet një tjetër kriter.

Pas plotësimit të formularit nëse kanë përdorur ose jo aplikacionet “Sky Ecc” dhe “Encro Chat” efektivët e policisë do t’u duhet t’iu përgjigjen të tjerave pyetje.

Bëhet fjalë për plotësimin e formularit të integritetit, për të cilën kush verifikohet se nuk tregon të vërtetën do të largohet automatikisht nga puna.

Në këtë formular, uniformat blu duhet të përgjigjen nëse: “Janë hetuar, arrestuar apo dënuar me vendim të formës së prerë nga autoritetet gjyqësore shqiptare ose të huaja?”

“A kanë kryer shkelje sigurie, apo nëse kanë tentuar të kryejnë aktivitet të paautorizuar në sistemet e komunikimit të informacionit të klasifikuar?”

Po ashtu ata duhet të tregojnë nëse kanë pasur kontakte të papërshtatshme, komunikime elektronike, ose çfarëdolloj mënyre tjetër takimi apo komunikimi të qëllimshëm, me persona të përfshirë në krim të organizuar?

Por edhe nëse kanë pranuar apo shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri me persona të përfshirë në krim të organizuar?

Urdhri i shpërndarë mban firmën e drejtorit të Policisë Muhamet, Rrumbullaku ku thuhet se deri me 30 qershor të gjithë punonjësit e strukturave në nivel qendror, vendor apo atyre të veçanta do duhet të kenë plotësuar këtë formular.