Blushi: Protestat nuk do ndalen deri kur të shembet edhe monumenti simbol i korrupsionit
Nënkryetari i PL-së, Tedi Blushi përmes një postimi në rrjetet sociale është shprehur se protestat nuk do të ndalen deri kur të shembet edhe monumenti simbol i korrupsionit.
Postimi i Tedi Blushit:
Erion Veliaj e ka vendin tek landfilli i Sharrës, aty mes mbetjeve urbane, të ngjashme si ai, tek ky vend krimi ku me inceneratorin fantazmë, që gllabëroi qindra milion euro, ai ndërtoi pasurinë e tij të paligjshme në kurriz të mundit, djersës dhe gjakut të qytetarëve të ndershëm që paguajnë rregullisht taksat.
Erion Veliaj nuk do t'i shpëtojë kurrë llogaridhënies para qytetarëve të Tiranës, që i vjedh çdo ditë me organizatën kriminale 5D, u rrëmben pronat dhe u shemb shtëpitë, i lë pa ujë të pijshëm, pa çerdhe, pa kopshte, pa shkolla, pa rrugë, pa kënde pushimi, pa parqe, pa shërbime.
Protestat nuk do të ndalen deri ditën kur pranë Sheshit "Skënderbej", aty ku u shemb përtokë diktatura, të shembin edhe monumentin simbol të korrupsionit, të krimit të organizuar dhe të pandëshkueshmërisë.
Rezistencë dhe Përballje!
