Ahmetaj “bën lëmsh” komisionet/ Deklaratat e ish-nr. 2 të Qeverisë te “RAI 3”, Çollaku: Lidhja e politikës me mafian, pengesë për integrimin

Akuzat e ish- Zëvendëskryeministrit Ahmetaj në emisionin e RAI3 u kthyen në temë diskutimi në komisionin për çështjet evropiane. Opozita e cilësoi si pengim për procesin e integrimit. Ndërkohë kryenegociatorja Majlinda Dhuka u shpreh se ajo çështje nuk ka lidhje me negociatat për BE.

Deklaratat e ish- Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj të publikuara në dokumentarin investigativ të “RAI3”, u cilësuan nga opozita si shqetësuese për procesin e integrimit.

Në komisionin për çështjet evropiane, deputeti demokrat Kreshnik Çollaku u shpreh se lidhja e qeverisë me mafian po dëmton integrimin e Shqipërisë në BE.

Përgjigjen e mori nga kryenegociatorja Majlinda Dhuka, e cila ndonëse e shmangu çështjen, tregoi procesin që ka bërë vendin në luftën kundër krimit të organizuar.

Përplasja u spostua mes socialistëve dhe opozitës.

Një tjetër problematikë e evidentuar nga të dy kahet politika ishte dhe puna e administratës shtetërore.

Për këtë, kryenegociatorja nuk i pranoi deklaratat, por pranoi mungesën e stafit.

Për të adresuar sa më mirë problematikat e procesit të integrimit, PS propozoi që në seancë plenare të përfshihet në rend dite diskutim i veçantë.