Barna kontrabandë në Tiranë, arrestohet farmacisti dhe magazinieri i medikamenteve

Policia e Tiranës  ka arrestuar një farmacist dhe pronarin e një depoje farmaceutike, pasi zbuloi se kishin futur në Shqipëri dhe tregonin barna pa pullë fiskale.

Të arrestuarit janë E.H, 46 vjeç që kishte farmacinë dhe Q.H, 35 vjeç, për depon e barnave. Sasia e produkteve farmaceutike pa pullë fiskale llogaritej 17 mijë euro.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizoi operacionin policor "Medikament"  për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra të ndryshme.

U arrestuan shtetasit E. H., 46 vjeç, dhe Q. H., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë e shtetasit E. H., dhe gjatë kontrollit të ushtruar në një depo të shtetasit Q. H, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, pa pullë fiskale nga  Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe pajisje dentare, me vlerë rreth 17000 euro.”