Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, takim ndërgjegjësues me të rinj nga Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria
Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian (KKIE) në bashkëpunim me Institutin Parlamentar dhe Qendrën “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” (SCiDEV), organizuan një takim ndërgjegjësues mbi rolin e Kuvendit në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, në të cilën morën pjesë studentë dhe studiues kërkimor të rinj nga Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria.
Të ftuarit u pritën nga Jorida Tabaku, kryetare e Këshilli Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE), Elvin Gjevori, drejtor i Institutit Parlamentar, Elda Zenelaj, drejtore e Sekretariatit Teknik të KKIE-së.
Kryetarja e KKIE-së, Jorida Tabaku bisedoi me ta lidhur me rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, rëndësinë e fazës në të cilën ndodhet procesi i negociatave për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, sfidat me të cilat përballet vendi dhe largimin e të rinjve, si dhe theksoi nevojën që procesi të mos vlerësohet si thjesht politik por të shërbejë për qytetarët. Teksa vlerësoi përpjekjet e Kuvendit për të qenë një institucion i hapur ndaj publikut dhe në shërbim të qytetarëve, Tabaku nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në proceset vendimmarrëse, por veçanërisht në procesin e integrimit.
Tabaku u shpreh se mungesa e rezultateve dhe procesit të gjatë të anëtarësimit ka sjellë nevojën për të parë se si qytetarët dhe të rinjtë mund të motivohen dhe gjetja e rrugëve se si qytetarët mund të përfshihen në procesin e integrimit. Duke sjellë eksperiencën e bisedave të zhvilluar në disa universitete të vendit, Tabaku theksoi se ka një interes të jashtëzakonshëm për tu njohur me fazat e procesit, përshtatjen e legjislacionit dhe risitë që sjell Procesi i Berlinit apo Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, por dhe ndryshimet konkrete që do të sjellë procesi për qytetarët, studentët, biznesin, etj.
Tabaku theksoi se shumë çështje që përfshijnë të rinjtë në rajon, si ekuivalentimi i diplomave, punësimi në BE, mobiliteti social, etj., duhet të jenë çështje debati dhe konsultimi publik jo vetëm në parlamente. Duke u ndalur në sfidat aktuale me të cilat përballet vendi në drejtim të numrit të ulët të punësimit të të rinjve, uljen e numrit të studentëve dhe gjimnazistëve dhe demotivimin e të rinjve për tu përfshirë në proceset vendimmarrëse, Tabaku vlerësoi rëndësinë e gjetjeve të mekanizmave të duhur për zgjidhjen e këtyre çështjeve, jo vetëm në funksion të procesit të integrimit, por dhe ruajtjen e standardeve të demokracisë.
Tabaku ndau me të ftuarit fazat në të cilat ndodhet vendi pas përmbylljes së procesit “screening” dhe masat e ndërmarra për përgatitjen e udhërrëfyesve, rolin e KKIE-së për monitorimin e zbatimit dhe përmbushjen e kritereve të vendosura, rolin e Kuvendit për monitorimin e zbatimit të ligjeve, por dhe sfidat me të cilat po hasen vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit dhe nevojën e përshpejtimit të procesit.
Më pas pjesëmarrësit iu drejtuan pyetje Tabakut dhe Gjevorit lidhur me çështje si deziformimi në procesin e integrimit, punësimin dhe edukimin e të rinjve, rolin e Institutit Parlamentar dhe bashkëpunimit me deputetët, etj.
