“Politika e Jashtme”, miratohet draftligji, i hap rrugë komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë
Nën drejtimin e kryetares Jorida Tabaku, komisioni për Çështjet Europiane i Kuvendit shqyrtoi dy projektligje.
Sipas njoftimit të Kuvendit, fillimisht u shqyrtua projektligji “Për ofruesin e shërbimeve të lundrimit ajror “Albcontrol”, ku të ftuar ishin zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Enkelejda Muçaj dhe stafi shoqërues.
Në fjalën e saj në prezantim të këtij projektligji, Muçaj u shpreh se ky projektligj vjen si pasojë e funksionimit të veprimtarisë së Shoqërisë “Albcontrol” në përputhje me Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë. Projektligji parashikon krijimin e entit publik “Albcontrol”. Veprimtaria e ushtruar nga Albcontrol-i përbën shërbim publik dhe nuk ka qëllim fitimin.
Relatori i çështjes, deputeti Lavdim Krrashi, tha se ky projektligj nuk ka përafrim me Acquis, të Bashkimit Europian, megjithatë, në projektligj gjejnë pasqyrim të pjesshëm disa nene ose masa zbatuese të detyruara nga rregulloret evropiane. Krrashi, ftoi kolegët për ta miratuar këtë projektligj.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan projektligjin e diskutuar në parim, nen për nen dhe në tërësi. Më tej, komisioni shqyrtoi edhe projektligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”. Po ashtu, e ftuar ishte zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Enkelejda Muçaj, bashkë më stafin shoqërues.
Zëvendësministrja Muçaj theksoi se ky projektligj vjen si pasojë e përafrimit me një nga aktet më të rëndësishme në nivel europian, Kodit të ri të Komunikimeve Elektronike, 2018/1972 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit Evropian, “Për krijimin e Kodit Evropian të Komunikimeve Elektronike”, që ka zëvendësuar paketën e direktivave të komunikimeve elektronike të vitit 2002 dhe të vitit 2009, si dhe kodifikon në një dokument të vetëm, të gjitha elementet e ndryshme të ligjit, që përbëjnë kuadrin rregullator të BE-së për komunikimet elektronike. Muçaj, shtoi se ky Akt riorganizon kuadrin rregullator të komunikimeve elektronike, në një mënyrë që arrin atë që duhet të jetë një ekuilibër i ndryshëm politik, midis rëndësisë së ruajtjes së konkurrencës, nga njëra anë, dhe nevojës për investime të mëdha, të cilat konsiderohen të nevojshme për të çuar përpara Strategjinë e Tregut të Vetëm Digjital.
Relatorja, deputetja Gerta Duraku, gjatë fjalës së saj vuri në dukje se miratimi i këtij projektligji parashikohet të ketë ndikim të rëndësishëm në lidhje me sigurimin e ofrimit dhe ndërtimit të rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, duke promovuar përfitime të mëdha për përfituesit fundorë, përfshirë dhe ata me aftësi ndryshe. Hartimi i një projektligji të ri del si nevojë e adresimit më mirë të problematikave të tregut dhe përmbushjes së objektivave strategjikë për një shoqëri gigabit, duke marrë në konsideratë ndryshimet e vazhdueshme të teknologjive.
Në fund të diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj, në parim, nen për nen dhe në tërësi, së bashku më ndryshimet e dakordësuara gjatë diskutimit, edhe me Shërbimin e Përafrimit të Legjislacionit në Kuvend.
