Prokuroria e Tiranës kërkon konfiskimin e 500 mijë eurove të ish-shefes së Kabinetit të Arben Ahmetajt, Alda Klosi
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar konfiskimin e 500 mijë eurove të ish-shefes së Kabinetit të Arben Ahmetajt, Alda Klosi. Gjithashtu Klosit do t’i konfiskohet edhe një apartament, garazh dhe makinë, pasuri që u vërtetua se është përfituar nga veprimtaria kriminale.
“Hetimi penal vërtetoi se paratë dhe valuta euro/dollarë të sekuestruara në banesën e shtetasve Rozeta Dobi dhe Havier Dobi, janë vjedhur tek banesa e shtetases Alda Klosi”, njofton prokuroria e Tiranës.
Arrestimi i ish-zyrtares së lartë erdhi pas hetimit të kallëzimit të saj të kryer në polici për vjedhjen e qindra mijëra eurove në banesë. Pas njoftimit të vjedhjes së banesës së Klosit në rrugën e Kosovarëve në Tiranë në dhjetorin e kaluar, policia arrestoi Rozeta Dobin dhe Havier Dobin, nënë e bir.
Për ish-shefen e kabinetit të ish-ministrit të Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetajt, Alda Klosi, Gjykata vendosi dënimin me 2 vite e 6 muaj burgim.
Për të do të aplikohet edhe gjykimi i shkurtuar, teksa Havier Dobi djali i pastrueses që vodhi në shtëpinë e Klosit u dënua me 5 vite burg, por me gjykim të shkurtuar dënohet me 3.4 vite.
Pastruesja Rozeta Dobi u dënua me 7 vite burg, por me gjykim të shkurtuar, dënimi i saj reduktohet në 4 vite e 8 muaj. Prokuroria thekson se është vërtetuar që në 15 tetor 2022, është bërë vjedhja e 462 mijë eurove.


