GJKKO, më 17 prill vendoset nëse do të merret në shqyrtim dosja ndaj Dakos
Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka shqyrtuar të premten kërkesën për shqyrtimin e dosjes hetimore të përpiluar nga Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako. Ai akuzohet për “Shpërdorim detyre” në dy raste.
Palët kanë paraqitur në seancë gjyqësore pretendimet e tyre. SPAK kërkon gjykimin e dosjes, ndërsa pala mbrojtëse pretendon mospranimin e saj.
Gjyqtarja e seancës paraprake Fjojera Davidhi, njoftoi që më 17 prill ora 10:00 të vendosë nëse dosjen do ta kalojë për gjykim ose jo. Vetë Dako në përfundim të seancës nuk ka preferuar të japi komente. “Nuk kam asnjë koment”, u shpreh Dako, në një prononcim për mediet.
Dako ndodhet në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, që prej datës 27 shkurt 2024 për shkak të kalimit të afateve të paraburgimit.
