Balla: Policia, rezultate kundër kalimit të paligjshëm të kufirit. Nga java e ardhshme monitorim territori nga ajri për arat me drogë
Ministri i Brendshëm Taulant Balla konfirmoi mëngjesin e sotëm zhvillimin e një operacioni me rezultate, iniciuar nga Policia e Shtetit për evidentimin dhe ndalimin e personave që japin ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, apo për anëtarë të grupeve të strukturuara kriminal.
Gjatë një komunikimi me gazetarët, Balla tha se drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rrumbullaku do të njoftojë këto rezultate që shprehin qartë angazhimin e qeverisë shqiptare kundër këtij fenomeni që është një shqetësim dhe një plagë globale.
Balla u pyet edhe për goditjen e kultivimit të kanabisit.
“Unë e kam thënë prej mes korrikut të vitit të kaluar kur kam marr detyrën që viti 2024 duhet të jetë dhe viti ku fenomenit të kultivimit të kanabisit duhet t’i japim dhe një goditje shfarosëse dhe dua të konfirmoj se përveç monitorimit nga ajri përmes protokollit të bashkëpunimit që kemi me GdF këtë vit duke filluar nga java e ardhshme ne do të kemi mundësin falë edhe protokollit të bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ne do të përdorim edhe dronët “Bajraktar”, të cilët do të bëjnë një monitorim sistematik të të gjithë territorit të Republikës së Shqipërisë me një fokus luftën kundër fenomenit të kultivimit të lëndëve narkotike kryesisht cannabis sativa”, tha Balla.
Ai shtoi se fokusi i monitorimit të vendit me dronët “Bajraktar”, do të jetë kundër të gjitha formave të tjera të krimit përfshirë këtu dhe krimet mjedisore, përfshirë këtu bashkëpunimin mes Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, njësisë operacionale e cila do të vendosi në përdorim dronin “Bajraktar” edhe me IKMT për të luftuar dhe fenomenin e ndërtimeve pa leje apo forma të tjera të krimeve mjedisore, po ashtu dhe kuadër të masave që lidhen me sezonin turistik.
Balla tha se në fund të muajit do të ketë komunikim të rëndësishëm lidhur dhe me masat në nivel kombëtar të Policisë së Shtetit, por dhe të gjitha agjencive të tjera ligjzbatuese.
Sipas Ballës, vetëm gjatë ditëve të fundit ka rezultate kryesisht në zonat e qarqeve Shkodër-Lezhë.


