Më 6 prill 1858 u bekua guri i parë i themelit të Katedrales së Shkodrës - sot do të këndohet himni
Si sot, më datë 6 prill 1858, pra 166 vjet më parë, u bekua guri i parë i themelit të Katedrales së Shkodres nga Imzot Giovanni (Gjon) Topich, tha në një njoftim sot Arqidioqeza Metropolitane Shkodër-Pult, për besimtarët banorë të Shkodrës.
"Tash katërqind e më shumë vjet rënkoni, o Besimtarë, të privuar nga Kisha dhe të detyruar për t’i kremtuar Misteret Hyjnore mes baltës ndotëse, nën një diell përvëlues, në erë, në shi e në borë. Tani, Krishti, me Ngjalljen e tij të lavdishme, ka denjuar t’ju dhurojë një Tempull dhe nesër, në dashtë Zoti, falë mëshirës së Madhërisë së Tij Sulltanit dhe denjimit të Shkëlqesisë së Tij Guvernatorit aktual Abdi Pashës, do të vendoset guri i parë i kishës aq të dëshiruar.
Arsyeja na dikton që ta falënderojmë Hyjin, mirënjohës për favorin e madh të bërë nga Zoti dhe që paraardhësit tuaj të zjarrtë e dëshiruan aq fort, por pa farë ngushëllimi.
Për këtë qëllim, sot pas dreke, në orën 15.00, do të këndohet himni “Te Deum” për ta falënderuar Zotin dhe për të kërkuar bekimin e tij për veprën që do të fillojmë.
Nesër herët në mëngjes Shkëlqesia e Tij Guvernatori, së bashku me Konsujt e Nderuar, do të denjojnë të vijnë te vendi ku do të ndërtohet kisha, në orën 05.00, për të vendosur gurin e parë.
Prandaj, janë të ftuar Zotërinjtë Krerë të krishterimit të emëruar nga Kisha dhe ata që janë zgjedhur nga Qeveria, së bashku me Krerët e Shoqërive, që të jenë të pranishëm te vendi ku do të ndërtohet kisha në orën e caktuar (në 5 të mëngjesit).
Duke qenë se tani e tutje Funksionet e Shenjta nuk do të mund të kremtohen më në Fushën aktuale, për shkak të pranisë së madhe të materialeve dhe të shqetësimit të punëtorëve, u zgjodh për Funksionet e Shenjta vendi i Bijve të të ndjerit Gjergj Arapi. Kështu, të dielën e ardhshme Funksionet Kishtare do të zhvillohen në vendin e lartmendur, si në mëngjes ashtu edhe pas dreke, dhe kjo gjë do të vazhdojë edhe më pas.
Zotërinjtë Ndërtues ftohen dhe nxiten që të ndërtojnë një atrium për Altarin në këtë vend, i cili duhet të jetë gati për të dielën e ardhshme.

Më 6 prill 1858
Gio. Topich
Ipeshkëv i Shkodrës
Fr. Diego da Sorino
Mass. Segr.

Zyra e Kuries

