Shfaqja “Amerikan” te “Spahivogli”, aktori Zoi: Komedi e zezë me trinomin e zakonshëm burrë – grua – dashnor
Në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka nisur shfaqja “Amerikan”, e cila do të jepet për publikun deri më datën 7 prill.
I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” aktori Ledion Zoi ndau detaje të temës që trajton kjo shfaqje, duke zbuluar një lidhje të mrekullueshme mes saj dhe realitetit të përditshëm.
Aktori tregoi se si shfaqja shpalos humbjen e vlerave të jetës, një temë që reflekton realitetin aktual ku çdo ditë ballafaqohemi me dilema etike dhe morale.

“Është një trinom i zakonshëm burrë – grua – dashnor, ku për ironi të fatit burri merr vesh që gruaja e tij e tradhton dhe pajton një vrasës me pagesë, i cili rezulton të jetë dhe dashnori i gruas të tij.
Dhe në këtë situatë, vrasësi dashnor ia kthen mbrapsht paratë dhe i thotë burrit që të largohet përfundimisht dhe i thotë që: “Unë jam dashnori i gruas tënde, dhe tani zhduku”. Ndërkaq kur gruaja e kupton këtë marrëveshje mes dy burrave është ajo që vendos t’i largojë këta njerëz dhe vendos që t’ua marrë lekët.
Është një përvojë të jashtëzakonshme, ku çdo person mund të ndjehej i lidhur me ngjarjet në skenë, pasi realiteti është përfaqësuar me vërtetësi”, u shpreh ndër të tjera aktori Zoi.
SHFAQJA

“Amerikan” është një komedi e zezë e pasur me surpriza dhe kthesa të papritura, e cila reflekton situatat komplekse dhe marrëdhënien e tre personazheve kryesorë të luajtura nga Ledion Zoi, Linda Jarani dhe Lulzim Zeqja.
Fabula ndjek rrugën e Suzanës, e cila bëhet objekt i konflikteve midis dy miqve, Mic dhe Majk. Teksti ka mesazhe të rëndësishme për publikun përmes të cilave “Amerikan” premton të kthehet në një prej shfaqjeve më të mira të sezonit teatror.
Nga mungesa e ndjeshmërisë ndaj çështjeve të rëndësishme deri te aktet e dhunës, shfaqja jep një analizë të thellë të komplikimeve të jetës së përditshme.


