Rama: Kushner kërkesë për investim në Sazan, do jetë xhevahir i turizmit mesdhetar
Kryeministri Edi Rama foli sot lidhur me kërkesën e ardhur nga një grup investitorësh, i kryesuar nga Jared Kushner, dhëndri i ish-Presidentit Donald Trump për investime në zonën turistike të Sazanit.
Rama, gjatë një interviste në një nga studiot televizive në vend tha se ka një kërkesë shprehje interesi të dorëzuar për Sazanin, ndërsa bëri të ditur se nuk ka asnjë projekt të dorëzuar as për Sazanin as për pjesën e Zvërnecit.
Rama deklaroi se transformimi i Sazanit ka qenë ambicie jo vetëm e tij, por edhe e paraardhësve të tij.
Kryeministri informoi edhe se ka pasur kërkesa edhe nga investitorë të tjerë për investime në Sazan, por se nuk janë pranuar nga qeveria për shkak se nuk qenë në qasje me atë që kishte vizion qeveria.
“Grupi ka dorëzuar shprehjen e interesit pranë AIDA-s. Kërkesa do të kalojë sitën e Agjencisë dhe më pas kalon hallkat e tjera. Paralelisht vjen edhe projekti i detajuar, i cili ende nuk është depozituar”, tha Rama.
Rama deklaroi se shpresonte që Sazani të bëhet xhevahiri më i shndritshëm i kurorës së turizmit mesdhetar.
Rama, më tej bëri të ditur se kishte diskutuar me Kushner për vizionin për zhvillimin e Sazanit.
“Një destinacion turistik, i cili të jetë i nivelit të lartë të harmonizimit mes natyrës dhe ndërhyrjes së njeriut dhe të sjellë konsumatorët e nivelit më të lartë të turizmit”, deklaroi kryeministri.
Një destinacion, vijoi ai, që vë Shqipërinë në nivelin më të lartë, bashkë me vende të tjera që disponojnë të tilla adresa në perimentin e tyre dhe i sjell Shqipërisë një burim të ardhurash për buxhetin e shtetit, nga e gjithë ajo makineri ekenomie që krijohet kur bëhet një investim në turizëm.
Këtu, theksoi ai, bëhet fjalë për të sjellë turizmin e një niveli të lartë. “Ndryshe nga turizmi masiv nuk ndot dhe sjell një klient që i jep ekonomisë së vendit për shkak të shpenzimeve që kryen të ardhura sa për 100 turistë që vijnë me çantë”, u shpreh ai.
Kryeministri bëri të ditur njëkohësisht se “Rilindja urbane” nxori nga gropa qytetet e Shqipërisë.
Rama tha se 5-6 vitet e para të qeverisjes prej tij nuk afrohej asnjë investitor për të investuar pasi nuk kishin besim.
“Unë prej ditës së parë që kam hyrë në zyrë përpiqem t’i ftoj në Shqipëri, ju lutem. Gjë e cila ka qenë vështirë 5 apo 6 vitet e para të qeverisjes.
Askush nuk vinte të investonte në turizëm. Shqipërinë e kemi bërë ne modë. Shqipëria sot është bërë një emër për të cilin flitet mirë dhe vazhdimisht. Kjo nuk ka ardhur nga qielli. Nuk ka ardhur nga 33 vite përpjekje në Shqipëri.
Shqipëria në 56 vitet e para të qeverisjes nuk afronte dot njerëz për të kryer një investim në turizëm, pasi vendi ishte mbështjellë me një vello të zezë të perceptimit që s’mund të afroheshe. “Rilindja urbane” nxori nga gropa qytetet e Shqipërisë.
Kjo qeveri vlerësoi trashëgiminë kulturore, krijoi Shqipërinë që mund të futej në një kornizë aparati, nga ku mund të dilte një kartolinë e vendbanimeve dhe filloi të ndryshojë fytyra e Shqipërisë”, tha kryeministri Edi Rama.




